Asani i “dedikoi” golin, Gjici: Rrugaç, te Kukësi do e fluturoja

Futboll

Asani i “dedikoi” golin, Gjici: Rrugaç, te Kukësi do e fluturoja

Më: 30 mars 2019 Në ora: 11:09
Safet Gjici

Safet Gjici është fyer rëndë dje gjatë gjithë ndeshjes nga tifozët e Partizanit. Dhe le ta pranojmë: është skandaloze që presidenti i një klubi shahet në Shqipëri për 90 minuta. Ndodhi dje në Shkodër, ka ndodhur më parë me Takajn në Vlorë apo me të tjerë nëpër stadiume të ndryshme. Është e turpshme. Natyrisht, kore sporadike do të ketë, madje edhe shkëmbime sharjesh mes tifozërive, sepse stadiumi hera-herës shërben edhe për të shkarkuar energjitë negative për hallet e përditshme, por jo deri në këtë masë.

Është e papranueshme t’i ndodhë çdo presidenti, zyrtari, futbollisti apo arbitri. Të kujtdo klubi, qyteti apo kategorie qofshin, sepse kështu sporti e humb fillin, nxjerr anën e tij më të errët. Gjici e ka përjetuar keq këtë pjesë dhe i ka cilësuar tifozët e Partizanit si huliganë të organizuar. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai nuk kursen as mbrojtësin e tij, Cuculin, por as arbitrin Jorgji.

Cili është vlerësimi juaj për këtë ndeshje?

Jam shumë i zhgënjyer. Cuculi bëri faj, jo gabim te rasti i penalltisë. Asnjë amator nuk do ta bënte atë. Natyrisht edhe arbitri ishte i gatshëm që ta jepte atë penallti. Mund edhe të mos e jepte… Por ju të “Panorama Sport” mund të nxirrni bilancin e penalltive këtë sezon edhe të shikoni se sa ka marrë Partizani, sepse mua m’i keni numëruar penalltitë çdo vit…

Asani festoi duke bërë gjestin me gisht se “dikush” duhet të heshtë. Pas ndeshjes la të kuptohej se e kishte me ju për çështjen e “gjunjëve”…

Këta shajnë dhe fyejnë që nga tifozi e deri te lojtari. Palo lojtar… Rrugaç! Çfarë janë këta more? Po nuk ka shanse ta bëjë një gjest të tillë një lojtar i Kukësit kundrejt një presidenti të klubit tjetër se fluturon nga ekipi. Por këta janë turp mor turp. Do t’i çojmë videot në FSHF dhe do bëjmë padi edhe për tifozët edhe për lojtarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat