Ylli i Bayern-it sulmon Ancelotti-n: Kam menduar të tërhiqem për faj të tij

Futboll

Ylli i Bayern-it sulmon Ancelotti-n: Kam menduar të tërhiqem për faj të tij

Më: 15 prill 2019 Në ora: 00:48
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti, një trajner fitues i vlerësuar në të gjithë botën. Kudo që ka shkuar, trajneri i Napoli-t është dashur nga të gjithë. Me përjashtim të Mynihut. Dhe të mendosh se te Bayern, si kudo ku ka qenë, ai ka pasuruar koleksionin e trofeve: një kampionat dhe dy Superkupa të Gjermanisë.

Gjithsesi, këto suksese nuk kanë mjaftuar për të shmangur pakënaqësitë. Në fakt, kujtimi që italiani ka lënë në Gjermani nuk është aspak i mirë, aq sa vazhdohet të flitet për të edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga lamtumira e tij.  

I fundit ka qenë Joshua Kimmich, i cili para pak kohësh ka rinovuar kontratën me  bavarezët deri në vitin 2023, por që ka qenë shumë afër largimit gjatë kohës që Ancelotti drejtonte skuadrën. 

 "Kam rinovuar, por ka patur një moment ku gjithçka ka qenë e vështirë për mua. Kam menduar për lamtumirën, sepse nuk isha i kënaqur me aktivizimin e pakët", ka thënë lojtari për "Welt am Sonntag". 

Një sulm i qartë ndaj Ancelotti-t, duke parë se periudha e vetme gjatë së cilës Kimmich ka luajtur pak me bavarezët ka qenë kur ekipi drejtohej nga tekniku italian. 

Kimmich ka folur edhe për trajnerin e ri, Kovac. "Në fillim kemi menduar 'është trajneri perfekt!'. Kemi fituar ndeshje duke luajtur mirë dhe me shumë siguri në fillimin e sezonit, por më pas jemi shpërqendruar. Ka patur shumë gabime individuale, për të cilat trajneri nuk mund të bënte asgjë". 

Një pranim i fajit nga Kimmich, por që duket se nuk ndahet nga shokët e tij të skuadrës. Siç ka bërë të ditur "ESPN", pas ndeshjes që Bayern-i fitoi 5-0 kundër Borussia Dortmund, një yll i bavarezëve, i cili ka mbetur anonim, ka thënë se Kovac "është si Ancelotti". Një krahasim që, të paktën në anët e "Allianz Arena", nuk shihet si një kompliment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat