Ky sezon sportiv është shumë i komplikuar për sulmuesin brazilian Gabriel Jesus. Sulmuesi i Manchester City ka qenë shumicën e kohës në stol, duke luajtur vetëm minutat e fundit. Madje javët e fundit po luan gjithnjë e më pak.
Për trajnerin Pep Guardiola, ai është zëvendësuesi i Sergio Aguero, pasi argjentinasi është i paprekshëm si titullar në sulm. Por Jesus tashmë është mërzitur nga kjo situatë dhe ka shfryrë dufin e tij: “Është e qartë që unë dua të luaj gjithnjë dhe kjo situatë më shqetëson. Po bëhet e padurueshme”.
“Ndihem i ndrydhur nga kjo lënie pas dore. Gjithsesi, kjo më bën që të punoj gjithnjë e më shumë, të stërvitem me shumë çdo ditë për të fituar më shumë hapësira. Edhe pse hyj si zëvendësues, gjithnjë përpiqem të ndihmoj skuadrën e të jap kontributin tim”, tha Jesus.
“Në ndeshjen e fundit ndaj Crystal Palace u aktivizova në fund dhe realizova një gol, duke ndihmuar ekipin që të marrë fitoren dhe 3 pikët. Gjithsesi, pres nga trajneri të më besojë më shumë dhe të luaj më shumë minuta”, u shpreh 22-vjeçari Gabriel Jesus.