Pasuria që Ajaxi mund ta fitojë këtë verë: 300 milionë euro

Futboll

Pasuria që Ajaxi mund ta fitojë këtë verë: 300 milionë euro

Më: 19 prill 2019 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Përderisa drejtori sportiv i Ajaxit, Marc Overmars, kishte thënë se do ta kishte të vështirë t’i mbante Matthijs de Ligtin dhe Frenkie de Jongun në skuadër, ai nuk kishte se si ta parashikonte suksesin që po e arrin klubi holandez në Evropë.

Matthijs De Ligt duket se është shumë afër largimit dhe Frenkie de Jong tashmë ka nënshkruar kontratë me Barcelonën, së cilës do t’i bashkohet në korrik. Por, synimi i Ajaxit është që t’i mbajë nëntë titullarët e tjerë në skuadër.

Formacioni i parë që i kushtoi 50 milionë euro mund të largohet për 300 milionë euro, përfshirë këtu 75 milionë eurot që Barcelona i pagoi për De Jongun.

Ajaxi tashmë është duke planifikuar për sezonin e ardhshëm dhe e ka transferuar mesfushorin Razvan Marin nga Standard Liege, si dhe qendërmbrojtësin Kik Pierie nga Heerenveen. Për më tepër, ata janë duke e shqyrtuar edhe mundësinë e blerjes së Martin Odegaard, i cili tani është i huazuar nga Real Madridi në Vitesse.

Përderisa Frenkie de Jong tashmë ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën me Barcelonën, duke i refuzuar Manchester Cityn dhe Paris Saint-Germainit, kapiteni i Ajaxit, Matthijs de Ligt, ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, përkundër interesimit të madh nga klubet evropiane.

Në anën tjetër, portieri Andre Onana sapo e ka rinovuar kontratën e tij me klubin holandez dhe duket se ta vazhdojë edhe për disa sezone karrierën e tij me Ajaxin. Mbrojtësi anësor Noussair Mazraoui ka ngjallur interesim në Premierligë, veçanërisht te Manchester Unitedi, Arsenali e Liverpooli.

Mbrojtësi anësor i krahut të majtë, Nico Tagliafico, është nën radarin e Atletico Madridit dhe Arsenalit, ndërsa David Neres kishte qenë shumë afër transferimit në Kinë për 43 milionë euro gjatë afatit kalimtar të janarit.

Ajaxi e bleu Dusan Tadicin nga Southamptoni për 11.4 milionë euro verës, ndërsa këtë verë pritet që holandezët të marrin oferta me trefishin e shumës që e kishin paguar ata. Ajaxi mund ta humbë edhe mesfushorin Donny van de Beek, i cili ka ngjallur interesim te Real Madridi.

Së fundi, Hakim Ziyech, i cili iu bashkua Ajaxit nga Twente për 11 milionë euro, mund të transferohet në Bayern për 40 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat