Ibra mbështet Allegrin: Ka të drejtë, ky është futbolli i sotëm

Futboll

Ibra mbështet Allegrin: Ka të drejtë, ky është futbolli i sotëm

Më: 8 maj 2019 Në ora: 06:49
Zlatan Ibrahimovic

I vendosur dhe i drejtpërdrejtë. Zlatan Ibrahimovic është ky, e pëlqeni apo jo. Kur suedezi flet, titujt e mediave botërore janë bombastikë. Sidomos, nëse objekt i deklaratave të sulmuesit të Los Angeles Galaxy është futbolli italian. Pas ndeshjes së MLS, që LA Galaxy e humbi 3-2 ndaj New York Red Bulls, ku Ibrahimovic ishte protagonist me një gol të shënuar dhe një asist, suedezi foli për Juventusin dhe Ligën e Kampionëve. E bëri këtë përmes “Corriere dello Sport”.

Sulmuesi i famshëm për fitimin e titujve dhe kupave kombëtare në çdo klub, që ka luajtur, e përsëriti edhe një herë idenë e tij për futbollin dhe fitoren. Qëndrimi i tij duket se përputhet më atë që tha Massimiliano Allegri, pasi u eliminua në Champions nga Ajax: “Allegri ka të drejtë: futbolli i sotëm është vetëm çështje fitoresh. Nëse luan mirë dhe nuk fiton, nuk llogaritet asgjë”. 

Zlatan Ibrahimovic u përfshi kësisoji në debatin pse italianët nuk fitojnë në Europë, duke e mbështetur trajnerin e Juventusit: "Ju jeni gazetarë, që keni ndikuar në këtë realitet. Nëse dikush luan mirë dhe humbet, e masakroni pse mungoi rezultati. Sidoqoftë, në fund mendojmë në të njëjtën mënyrë, si ju dhe unë. Loja e bukur nuk vlen asgjë. Mjafton vetëm të fitoni, pa marrë parasysh se si. Mos harroni se Juventusi mbërriti dy herë në finale, vitet e fundit, por humbi ndaj Barcelonës dhe Real Madridit".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat