Ademi flet për raportet me FFM-në e Saviqeviqit, si e sheh trajnerin serb kundër Kosovës, dhe si e ndjen Fatos Beqirajn! - Bota Sot
Ademi flet për raportet me FFM-në e Saviqeviqit, si e sheh trajnerin serb kundër Kosovës, dhe si e ndjen Fatos Beqirajn!

Futboll

Ademi flet për raportet me FFM-në e Saviqeviqit, si e sheh trajnerin serb kundër Kosovës, dhe si e ndjen Fatos Beqirajn!

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2019 Në ora: 14:07
Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për raportet me Federatën e Futbollit të Malit të Zi, po ashtu tregon se kur mund të fillojnë punimet për stadiumin nacional. Po ashtu flet edhe për Fatos Beqirajn, sulmues i Malit të Zi, si dhe për periudhën e tij nga viti 1992, nga koha kur sakrifikuan gjithçka për mbajtjen gjallë të futbollit të Kosovës dhe i rezistuan okupatorit serb. 
“Bota sot”: Cilat janë raportet me Federatën e Futbollit të Malit të Zi, e cila ka president Dejan Saviqeviqin, një kundërshtar i Kosovës në Budapest, kur votoi kundër pranimit të FFK-së, po ashtu malazezët selektor e kanë një serb ish trajner të Partizanit të Beogradit, Lubisha Tumbakoviqin, si dhe Fatos Beqiraj nga Kosova luan për malazezët, një lloj presioni apo një motiv shtesë për Kosovën?
Agim Ademi:  
Vërtet Saviqeviqi ka qenë njëri prej atyre më të zëshmit në kuvendin (UEFA-së) e Budapestit, kur jemi pranuar ne si FFK, faktikisht, totalisht e ka mbajtur anën apo krahun, pak ka qenë e habitshme, për faktin se, mundem me thënë që ka qenë futbollist ndërkombëtar dhe ai më së shumti e kupton këtë gjë.  

Image

Fati i mirë që ne kemi me luajtur pa shikues, loja pa shikues ka me pak provokime edhe për ta edhe për ne, gjë që mendoj se është bërë një zgjidhje e mirë nga UEFA, për vet faktin që loja të shkojë më qetë, sepse ne e dimë se aty ka komunitet serb, mund të ketë ndonjë provokim, madje mund të ketë ndonjë incident të mundshëm që nuk i shkon përshtati absolutisht federatës malazeze normalisht as neve. Ai, i cili ka qenë trajner i Partizanit, normalisht që atij nuk i vjen mirë, por ky është realiteti, ky është futbolli, UEFA është ajo e cila u ka bërë me dije të gjithëve se çfarë i pret, e dini rastin e Spanjës, përveç që iu tërhoq kampionati edhe është dënuar katër vitet e ardhshme që mos me mundur me organizuar asnjë kampionat tjetër, kompetecion nga UEFA.  

Ju ka bërë të gjithëve me dije, politika është diçka tjetër, Kosova është anëtare e barabartë, 55 federatave, se çdo garë që mbahet nuk ka pengesë, ai i cili pengon tash e tutje shkon në humbjen e ndeshjes, nëse neve për shembull eventualisht një ekip na bie, se besoj, por nëse bie ndonjë ekip që nuk na ka njohur ndonjë shtet, nëse ata nuk dojnë me luajt për shembull për shkaqe politike e humbin ndeshjen. Ndërsa Fatos Beqiraj besoj që ndihet më së vështiri e më së keqi, sepse normalisht është një kosovar, është i Pejës, faktikisht ka kallëzuar rezultate të mira, një futbollist dhe djalë shumë i mirë, gjë që e çmojnë edhe ata, këtë ma ka thënë edhe në bisedë të drejtpërdrejtë Dejan Saviqeviqi. Nuk është njësoj, është e vërtet që ai është në pozicion shumë të vështirë, shpresoj se gjithçka ka me shkuar mirë dhe përveç që kemi me kaluar mirë, besoj se përkundër vështirëve që ka Fatos Beqiraj, në fund ne kemi me bërë krenar që është shqiptar. 

Image

“Bota sot”: Po stadiumi nacional, i cili është më së i nevojshëm, kur do fillojnë punimet, a keni informacione nga Qeveria dhe MKRS-ja apo ende vazhdon mjegullimi?
Agim Ademi:
Stadiumi nacional normalisht është i nevojshëm dhe shumë i kërkuar për ne, por është projekt qind për qindtë i qeverisë, ne jemi vetëm si monitorues kah aspekti profesional mund të them, kur është bërë projekti me pa se a janë dimensionet e objektit, a janë dimensionet e fushës, a janë dimensione të objekteve tjera përcjellëse, të kërkuara nga UEFA me norma. Ndërsa e di që u është bë projekti, është përzgjedhur projekti nga ministria, nga komisioni i ministrisë i cili është paraparë për këtë punë në ministrin e sportit dhe i citoj fjalë e ministrit Gashi, që sigurisht do të fillojë tani për dy muaj, do të fillojë edhe puna.

Besoj shumë dhe ma merr mendja, meqë kanë ecur procedurat deri këtu edhe do të ecin, kur pranohet një projekt edhe do të ecë, se për sa ka me u krye afatin e ka ose më mirë me thënë punëkryesi, të cilët diku e marrin rreth dy vjet e gjysmë eventualisht tri, por mund të themi nga fillimi i punëve brenda dy viteve e gjysmë - tri stadiumi duhet të jetë i përfunduar. Gjithsesi mu me vjen mirë që ministria ka marr vendim që ta rinovojë prapë stadiumin në Mitrovicë, ta bën kategorinë e 4-të, sepse neve na duhen dy stadiume të kategorisë 4-të, ku luhen ndeshjet alternative, na ende e kemi pasur ose e kemi ende alternativ stadiumin në Shkodër,  për vetë faktin që mund ndodhë diçka dhe është obligim që të kesh një stadium alternativ përveç atij që luan, tani do ta qesim stadiumin e Mitrovicës si alternativ për ndeshjet ndërkombëtare të ardhshme, të cilat, eventualisht nuk luhen në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë mund të luhen në Mitrovicë.  

Mendoj që këto fusha artificiale që i kemi në projekt me ministrinë edhe ato do të vazhdojnë, gjashtë më janë në përfundim, veç i kemi përfunduar si FFK, tani është projekt për gjashtë të tjera që do t’i bëjë dhe do t’i tenderojë ministria, është e gatshme besoj për këtë punë, do të krijohen edhe gjashtë të tjerë dhe prapë do të vazhdojmë. Sivjet unë do të mundohem dhe sigurisht se do të përfitojë më shumë nga UEFA e FIFA fonde të cilat janë për të punuar sa më shumë, për të ndihmuar sa më shumë klubet. Jam këtu dhe jam i gatshëm për të ndihmuar klubet sa më shumë me infrastrukturë dhe me organizim, me edukim e të gjitha, kështu që po vazhdojmë siç e kemi sloganin: Me përgjegjësi dhe krenari! 

“Bota sot”: Që nga viti 1992 jeni vazhdimisht me futboll, pothuajse që 27 vite, që nga koha e rezistencës kundër Serbisë, a keni shpresuar ndonjëherë se Kosova do të ketë kombëtare mjaft të fortë karshi kombëtareve tjera, sidomos ndaj Bullgarisë që nuk pat fat?

Image


Agim Ademi: Në fakt, kur jemi nda nga federata serbe, nga federata e Jugosllavisë së atëhershme, e kemi mbajtur si mbijetesë, e kemi krijuar dhe kemi vazhduar futbollin tonë si mbijetesë, ka qenë periudhë e artë dhe e veçantë. E konsideroj të veçantë, sepse është unike, sepse askush në botë nuk ka luajtur dhjetë vjet futboll e më shumë, i pa pranuar kurrkund, pa të njohur askush, me rregullat e UEFA-së e FIFA-së, derisa ata nuk kanë njohur e kemi nxjerr edhe një kampion i cili është dal e ka marr një Kupë dhe ju kemi imponuar Evropës, se edhe këtu është një kampion që ju nuk po e njiheni. Kanë qenë momente të veçanta, momente momente nuk kemi besuar, e kemi humbur një herë shpresën edhe pse shpresa na ka mbajtur gjithmonë dhe mos të ishte shpresa faktikisht nuk do të ishim këtu, mos të ishte ky zinxhirë, që i falënderojë jashtëzakonisht shumë të gjithë akterët e asaj kohe që kanë qenë në secilin pozicion, një popull i tërë thuajse pas futbollit edhe nga ana ekonomike, çdo dyqan, çdo njeri, çdo familjar nga ana profesionale, çdo trajner, çdo futbollist pa asnjë kompensim, nga ana e organizimit të garave, çdo kryesi e udhëheqësi që ka qenë kohë pas kohe deri të pranimi, i cili faktikisht ka rezultuar mirë.

Unë e them kështu, sa i përket asaj pjese, ne ndoshta nuk kemi besuar ndonjëherë që ka me ardhur momenti me pas një ekip kaq të fortë dhe me futbollistë kaq të përgatitur, por ka ndodhur pikërisht ai represion i viteve të 90-ta, nga arsyet e ndryshme bashkatdhetarët tanë kanë dalë jashtë, ata përveç organizimit të jetës së tyre atje në një vend të huaj që nuk ka qenë e lehtë, tjetra i erdh koha që u desh me ndihmuar familjen, derisa ai u pozicionua vet, u desh ekonomikisht me ndihmuar familjen, sepse na nxorën nga puna nga gjithçka, sfidë tjetër për ata bashkatdhetarë, tani fëmijët e tyre arritën që të na bëjnë krenarë neve të gjithëve, janë pikërisht fëmijët e atyre atdhetarëve e bashkatdhetarëve tanë, që kanë shkuar për çështje politike, ekonomike, e të llojllojshme, por gjithmonë duke e menduar Kosovën, atdheun, duke mos harruar asnjëherë ku i kanë rrënjët, ku është vendi i tyre ku i kanë familjarët, detyrimisht mund të them se po na bëjnë krenarë gjithë popullin.

Dhe unë i falënderoj shumë prindërit e tyre, të futbollistëve, të cilët i kanë bind, sepse, fakt, ky është vend i baballarëve të tyre, ata kanë lind gjithandej nëpër Evropë, vendlindje e kanë çdo shtet ku jetojnë por ata e njohin si vendlindje Kosovën, sepse është rrënjë dhe bazë e tyre, kështu që i falënderojë shumë që i kanë rritur në frymën patriotike, dhe që kanë vendosur të luajnë për Kosovën, sepse nuk ka qenë lehtë të luash në Gjermani, Zvicër, deri në kategori të reja. Rasti i fundit i Hadërgjonajt dhe me të tjerë që jemi në biseda, realisht kjo është një mrekulli për futbollin dhe popullin tonë. (fund).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...