Nikaj: Më shumë me shqetëson infrastruktura!

Futboll

Nikaj: Më shumë me shqetëson infrastruktura!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 maj 2019 Në ora: 10:39
Vushtrria

Është prej trajnerëve më të vyer dhe kudo që shkon edhe ka suksese.  Samuel Nikaj, kryetrajner i Vushtrrisë, ka arritur objektivat, duke e rikthyer ekipin në elitën e futbollit të Kosovës. Një edicion përplot me emocione, sfida të mëdha, por edhe me telashe të ndryshme, trajneri nga Shkodra ia doli që me Vushtrrinë të renditen bindshëm në krye të renditjes me 72 pikë, 12 më shumë se Dukagjini i Klinës që zuri pozitën e dytë dhe Besa në vend të tretë.  

Nikaj është i kënaqur me atmosferën që ka mbretëruar për gjatë gjithë kampionatit, duke thënë se Vushtrria ka një armatë të madhe të futbollistëve, që me pak investime mund të bëjnë gjëra të mëdha në Superligën e Kosovës. Po ashtu ka fjalë miradije për tifozët “Forca”, për faktin se kanë qenë krahë i fortë i skuadrës. Ai ka folur edhe për veten e tij, se përveç me futboll me çfarë merret, si dhe çfarë veture ngas.

Ndërkaq, sugjeron që Federata e Futbollit Shqiptar dhe ajo e Kosovës, që të diskutojnë për formimin e ligës mbarëkombëtare veçmas për Superkupën, që do të ishte edhe një e mirë për futbollin në përgjithësi shqiptar, përpos rivalitetit edhe cilësisë do të rriste edhe më shumë shikueshmërinë nëpër stadiume. Nikaj ka fjalë të mira për futbollin e Kosovës, që sipas tij ka rritje të nivelit. Në fakt, ajo që i dhemb ende në shpirt Nikajt, është se në moshën më të mirë u deshtë të largohet nga loja aktive, për shkak të lëndimeve që e përcillnin atëkohë!

“Bota sot”: Samuel, dikur futbollist e sot trajner, kur kishit më shumë emocione?

Samuel Nikaj: Si futbollist kam qenë lojtar i dobët, kanë luajt 10 e unë 11 e kurrë përgjegjësia s’ka ra te unë, thjeshtë kam luajt. Jam kujdes për përformancën time, angazhim kam pas maksimal por dhe dëmtimet me kanë përndjek gjatë gjithë karrierës dhe në moshën 24-vjeçare jam tërheq përfundimisht me një titull kampioni me Vllazninë e Shkodrës, por pa qenë protagonist gjatë atij sezoni. Ndërsa si trajner ndryshon, me duhet të menaxhoj shumë faktor dhe të marr përgjegjësi për të tjerë, duhet të menaxhoj marrëdhëniet me kryesinë, me stafin tim, me lojtarët, me media dhe deri tek ekonomët duhet një harmoni shumë e mirë e krejt aktorëve që të kesh suksese. Prandaj një titull si trajner është sa për 3 si futbollist.

“Bota sot”: Tash e një kohë në futbollin e Kosovës, si e ndjeni vetën?

Samuel Nikaj: Shumë mirë dhe mentaliteti im përshtatet me shumë me futbollin e Kosovës gjatë 2 viteve në Kosovë. Kam bë shumë miq, nuk me kanë sulmuar asnjëherë analistët as mediat edhe në situata të këqija, prandaj i falënderoj. Personalisht jam për një ligë mbarëkombëtare por është pak e vështirë politikisht, megjithatë një vërejtje e kam për drejtuesit e FSHF-së dhe FFK-së, duhet të kenë lidhje me të forta njëri me tjetrin, imagjino një tip Superkupe me 2 takime Partizani, Ferronikeli, Vushtrria, Bylisi apo dhe tek futbolli i femrave Mitrovica, Vllaznia, çfarë audience do të kishte dhe do të hapte dritare të reja për çdo futbollist e trajner. Në fund i kisha bë një sugjerim edhe presidentëve në Shqipëri të hedhin sytë nga Kosova për trajnerë sepse ka plote trajnerë të mirë.

Image

Korab Hasani dhe Samuel Nikaj

“Bota sot”: A mendoni se Vushtrria ka një ekip që mund të bëjë gjëra të mëdha në elitë?

Samuel Nikaj: Vushtrria ka resurse të mëdha si ne futbollist dhe në biznesmen, pa frikë e them që në qoftë se bizneset e Vushtrrisë dojnë të bashkohen Vushtrria bëhet kampion. imagjinoj në qoftë se në ekipin e Vushtrrisë rikthehen Dallku, Januzi, Mustafa, Maloku së bashku me Osmanin, Izmakun, Maxhunin, Cakën, Halimin, Zabërgjën bëhet një bosht i fortë që me disa përforcime cilësore, Vushtrria bëhet kandidate kryesore për titull.

“Bota sot”: Një kohë keni qenë edhe trajner i Flamurtarit,  tani në Vushtrri, si e sheh futbollin e Kosovës, a ka përparime dhe çfarë i duhet më shumë?

Samuel Nikaj: Sinqerisht ka shumë përparim në qoftë se para dy viteve luftuam veç 2 ekipe më shumë për titull për inkuadrim, këtë vit ishim 4 ekipe deri në fund për inkuadrim dhe ekipe të traditës si Besa, Vëllaznimi dhe Dukagjini që u udhëhoqën edhe nga trajnerë të eksperiencës me tituj mbi supe si Ismet Munishi e Gani Sejdiu, prandaj ky titull me ka shijuar më shumë për vetë luftën e fort sportive deri në javën e fundit.

“Bota sot”: Përveç me futboll Samueli me çfarë merret tjetër në jetën private?

Samuel Nikaj: Asnjë impenjim tjetër nuk kam edhe pse kam patur mundësinë të jem mësues i edukimit fizik pasi kam shkollën përkatëse por kam preferuar impenjim 100 për qind tek futbolli edhe në periudha pauzash. Kam preferuar të ndjek disa trajnerë më me eksperiencë se unë në trajning për të përfituar ndër ta një emër të njohur si Rubio kur drejtonte Tiranën.

“Bota sot”: Çfarë makine ngas Samueli?

Samuel Nikaj: Jam shoferi më i keq Shqipëri-Kosovë, prandaj preferoj makina sa ma të këqija. Ngas polo të vogël sepse parkohet edhe më lehtë, hahaha.

“Bota sot”: Çka i duhet Vushtrrisë për Superligë?

Samuel Nikaj: E ceka edhe me herët, investim në infrastrukturë dhe në merkato por për këtë bizneset e tjera duhet ta mbështesin kryetarin Naser Imeri dhe firmën ‘Ariani’ Company pasi ato kanë shpenzuar shumë tash dy vite në ligën e parë, por Superliga është tjetër të vetëm dhe pa u miratuar ligji për sportin është e vështirë të menaxhohet.

“Bota sot”: Ka kohë që jeni në Kosovë, a ka qenë vështirë të fitohet si mysafirë, apo çka iu shqetësojë më shumë?

Samuel Nikaj: Më shumë me shqetëson infrastruktura, nuk është në nivel, për sa i përket fitoreve si mysafir tashmë nikoqirët po e pranojnë më me sportivitet se para 2 viteve, por na si Vushtrri kemi 2 vjet që nuk njohim humbje si vendas dhe shpresoj të kalojnë edhe më shumë vite sepse kemi tifozerinë më të fortë në Kosovë, tifogrupin ‘Forca’ me thënien e tyre epike: S’ka mu nal.

“Bota sot”: Sa keni mundur të adaptoheni me ambientin në Kosovë, është sikur shtëpia e dytë e juaja?

Samuel Nikaj: Shumë mirë jam adaptuar, realisht e ndiej vetën si i shtëpisë, nuk kam pasur probleme pasi kam ecur nën moton si është vendi bëhet kuvendi.

“Bota sot”: A më shumë keni përfituar nga futbolli apo i dhatë?

Samuel Nikaj: Realisht kam përfituar emocione që nuk harrohen lehtë, sa për të dhënë duhen pyetur lojtarët qe kanë punuar me mua çka kanë përfituar prej meje.

“Bota sot”: A dallon shumë Kampionati Shqiptar me atë të  Kosovës?

Samuel Nikaj: Ka dallim pasi në Shqipëri ka më shumë taktikë, ndërsa në Kosovë më shumë angazhim, unë i kam ndërthurë shumë mirë në ekipet e mija por kryesorja për një lojtar që të ketë sukses nën drejtimin tim në skuadër Shqipëri dhe në Kosovë duhet të jetë i motivuar në ndeshje në nivelin tim ose më shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat