Kjo është paga e Milot Rashicës te Werder Bremeni

Futboll

Kjo është paga e Milot Rashicës te Werder Bremeni

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 14:16
Milot Rashica

Milot Rashica zhvilloi një super sezon në Werder Bremen, duke qenë një ndër futbollistët kryesor të skuadrës, duke shënuar 9 gola dhe duke asistuar në pesë shënime të tjera të klubit nga Bremeni.

Reprezentuesi nga Kosova shkëlqeu me fanellën e skuadrës gjermane, sidomos në pjesën e dytë të sezonit, duke qenë titullar në formacionin e trajnerit gjerman Florian Kohfeldt.

Werderi madje deri dy xhiro para fundit ishte në garë për vendin e gjashtë në Bundesligë, që dërgon në gara evropiane, që për këtë klub do të ishte sukses i madh, nëse shikohet struktura e pagave dhe buxheti.

"Insporti" ka bërë një hulumtim rreth pagës së yllit kosovar në gjigantin gjerman.

Meqë klubet gjermane janë të detyruara të lajmërojnë në autoritetet përkatëse listat e pagave të futbollistëve, sipas të dhënave që janë publike del se paga mesatare në Werder Bremen për sezonin 2018/19 është 1 milion Euro.

Kjo e bën Werderin klubin e 197-të në botë, për kah “pesha” e listës së pagave, sipas deklarimeve që figurojnë në Indeksin Global të Pagave në Sport, një nga botimet periodike më kredibile të fushës.

Bazuar në të dhënat publike, paga javore e Rashicës është 20,327 mijë euro, ndërsa ajo vjetore 1,057, 000, raporton Insporti.com, duke u bazuar gjithnjë në deklarimet brenda publikimeve ndërkombëtare.

Ai është futbollisti i shtatë më i paguari në klub. Më i paguari është mesfushori danez, Davy Klaassen me pagë javore prej 35,558 mijë euro, ndërsa në vit 1,849,000.

Në Bundesligë, pagat e përgjithshme të lojtarëve brenda një sezoni, arrijnë në 900 milionë Euro, gjithnjë sipas asaj që klubet lajmërojnë në autoritete dhe të dhënat që figurojnë në Indeksin Global të Pagave në Sport.

Kosovari 22 vjeçar, me klubin gjerman ka kontratë deri më sezonin 2021/22, kurse në transfermarkt, vlera e tij në treg është 7 milionë Euro.

Pas paraqitjeve të mira, tashmë shumë klube janë të interesuara për shërbimet e tij, madje është raportuar për interes edhe nga RB Leipzig dhe Crystal Palace.

Kujtojmë se Rashica tashmë gjendet në Kosovë, i grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës për t’i zhvilluar dy ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2020”.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi më 7 qershor, ndërsa pas tre ditësh për kundërshtar do ta ketë Bullgarinë. Të dy ndeshjet “Dardanët” i zhvillojnë si mysafir.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat