Magani vendos pikat

Futboll

Magani vendos pikat

Më: 11 qershor 2019 Në ora: 15:54
Magani vendos pikat

Gugash Magani është gati që të qëndrojë në Kavajë, e megjithatë ka një kusht. Parimisht e ka arritur akordin me presidentin, por firma mbetet “peng” e një kërkese. Dhe të jemi qartë, nuk po pretendon asgjë sa u përket termave të kontratës së tij (rritje rroge apo diçka të tillë).

Ai nuk pret asgjë më pak e asgjë më shumë se rikonstruksionin e stadiumit “Besa”. Kur dihet që terreni është tërësisht i amortizuar, peqinasi pret që në mënyrë imediate të nisë puna, pasi ndryshe as sezonin 2019- 2020 nuk mund të arrihet ngjitja në elitë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai saktëson se ka marrë garanci nga Nexhat Bizhdili se kjo kërkesë do t’i plotësohet, ndaj është optimist.

“Vjet disa herë e kam përsëritur se jemi penalizuar nga fusha e stadiumit ‘Besa’. Në këto kushte, e gjithë djersa që derdha unë dhe stafi, por edhe futbollistëve, zbehet nga terreni. Për këtë arsye i kam vënë kusht presidentit që vazhdimësia ime te Besa edhe për sezonin e ri do të varet nga infrastruktura. Bizhdili më ka premtuar se ky problem do të zgjidhet dhe nëse kjo do të ndodhë, unë do të vijoj të drejtoj Besën”, u shpreh fillimisht trajneri. Krahas këtij kushti, Magani po i paraprin rindërtimit të Besës së sezonit të ri. Sipas tij, ai në bashkëpunim me presidentin, kanë nisur kontaktet me lojtarë të ndryshëm. Është i rezervuar në emra, por evidenton se do të ketë cilësi.

“Po është e vërtetë se krahas kushtit që i kam vendosur, vijoj paralel punën për afrimin e disa lojtarëve te Besa. Nuk është herët, pasi në fillim të korrikut grupi duhet të nisë stërvitjen. Emra nuk mund të citoj që sot, pasi vetëm kur të firmosin kontratën me presidentin, mund të quhen pjesë e ekipit. Afrimi i lojtarëve do të vijojë dhe besojë se pas 6 vitesh, mund ta ngjisim Besën në Superiore. Vjet dogjëm shanset tona me atë incident që ngjau kundër Bylisit. E dimë që tifozët e kanë humbur durimin dhe këtë e di shumë mirë si Bizhdili, unë dhe të gjithë faktorët në Kavajë”, ka përfunduar peqinasi i stolit të Besës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat