Futbollisti Ardin Dallku ka planet e tija, por mbi të gjitha primare e ka që të përgatitet sa më mirë për edicionin e ri! Mbrojtësi nga Vushtrria, aktualisht është pjesë e skuadrës ukrainase Vorskla Poltava, me të cilën po kalon periudhë shumë të mirë. Megjithatë ende nuk dihet se a do të mbetet edhe më tej pjesë e kësaj skuadre apo do të shtegtojë diku tjetër, me gjasë edhe jashtë shtetit ukrainas.
Reprezentuesi i Kosovës e pranon se nuk është lehtë të jetohet në Ukrainë, për shkak se është pothuajse i vetmi nga shqiptarët që jeton në at mjedis, por e ka respektin e veçantë nga qytetarët e këtij vendit.
Ai flet për të ardhmen, për synimet, si ndihet në Vorskla, ka oferta dhe si e sheh kombëtaren e Kosovën në garat kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, si dhe a ka oferta!
“Bota sot”: Ardin, tash e një kohë në Vorskla Poltava, a është bërë sikur shtëpia juaj?
Ardin Dallku: Mund të them si shtëpia e dytë sepse tani bëhen 8 vite që jam aty.
“Bota sot”: A mendoni se me Vorskla-n do të arrini shumë dhe çka iu ka ndihmuar më shumë?
Ardin Dallku: Për momentin do të kisha thënë jo, se jam duke shikuar situatën që të largohem nga ekipi dhe të provoj veten me ndonjë kampionat tjetër. Ia lëmë kohës.
“Bota sot”: A keni oferta nga klubet jashtë Ukrainës?
Ardin Dallku: Po, ka disa oferta, por menaxheri im është duke u marr me këtë çështje.
“Bota sot”: Sa është vështirë të jetohet në Ukrainë, çka e veçon nga Kosova?
Ardin Dallku: Të them të drejtën, për momentin nuk është edhe lehtë të jetohet në një shtet të largët si në Ukrainë, sepse jam ndoshta i vetmi shqiptar aty. Mungon shoqëria, familja etj.
“Bota sot”: A mendoni se frymëzimi më i madh për të arritur në nivelin më të mirë ka meritë vëllai Armendi?
Ardin Dallku: Sigurisht se po, sepse ai ka qenë shtyrja ime më e madhe në karrierën time.
“Bota sot”: A nget makinë dhe çfarë marke?
Ardin Dallku: Në Kosovë nuk posedoj makinë.
“Bota sot”: Përveç me futboll, me çka merreni tjetër apo punoni a studioni?
Ardin Dallku: Do të kisha thënë që veç me futboll sepse kam dal shumë i ri nga Kosova në moshën 16 vjeçe dhe nuk kam arritur t’i mbaroj të gjitha.
“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Ardin Dallku: Synimet e mija jetësore janë që të jem një njeri i lumtur me jetën dhe rrethin që me rrethon, kurse me futboll normal si çdo futbollist që dëshiron majat e futbollit evropian apo botëror. Jam shumë i lumtur me Kosovën që është duke shkuar para me hapa të sigurt dhe po tregojnë ndeshje jashtëzakonisht të mira.
“Bota sot”: Si e sheh Kosovën në këto kualifikimet, a ka gjasa?
Ardin Dallku: Bukur mirë sepse janë me të vërtet djem që e japin zemrën për vendin e vet, besoj se gjasat janë.
“Bota sot”: A shpresoni se do të jeni pjesë e Kosovës në muajin shtator?
Ardin Dallku: Shpresoj shumë në këtë sepse janë me të vërtet duke e bë një punë të shkëlqyer në fushë.
Po unë do të vazhdoj me punën time, me lojët e mia të tregoj kualitetin tim, ajo është pjesë e trajnerit.
“Bota sot”: Sa është vështirë të luash si mbrojtës, a është një presion?
Ardin Dallku: Është shumë e vështirë, ndoshta është përgjegjësia më e madhe në fushë, që mbrojtja të jetë e sigurt.