O lajuni burrat e Kosovës lajuni, hiqni lloçin se nuk kishit pas për kë!

Futboll

O lajuni burrat e Kosovës lajuni, hiqni lloçin se nuk kishit pas për kë!

Nga: Kemajl Goca Më: 20 qershor 2019 Në ora: 12:44
Pamje e futbollistëve të Llapit gjatë viteve 90-ta kur lahen në lum

Këta trima që i shiheni në foto, nuk janë as të çmendur, as budallai, as të luajtur mendsh, por janë futbollistët e viteve të 90-ta, që dhanë gjithçka për të mbajtur gjallë sportin e Republikës së Kosovës. 

Këta futbollistë që i shiheni duke u larë e hequr lloçin në at ftoftë, në at borë, vinin pas një ndeshje të Kampionatit të Republikës së Kosovës dhe me sy e vesh se mos po i sulmon e arreston pushtuesi serb! 

Këta burrat e Kosovës që po lahen në lum, nuk kishin shkuar që të lahen se i kishte marr malli apo i kishte kap lezeti, por nuk kishin tjetër ku të lahen se  luanin në livadhe të improvizuara, për faktin se stadiumet tona ishin të uzurpuar nga Serbia kriminale me Arkanin.

A thua, këta burra që po shihen duke u larë në lum, sikur ta dini atëkohë, se pas lufte kush hesap nuk do t’i bën, a do të vazhdoni me at vrull e vullnet! Sigurisht se po, do të luanin sërish se e kishin një armik: Armikun e përbetuar Serbinë!

Këta burra që shihen duke u pastruar, a do të mendonin atëkohë se në Liri e në shtetin tonë, nuk do të votohet Ligji për Sponsorizimin e sportit të Kosovës, nga deputetët tanë të zgjedhur me votën e popullit! Nuk do ta kishin besuar.

Po t’i thoshe dikujt atëkohë nga këta që shihen duke u larë se nuk do të votohet ligji në vitin 2019, sigurisht se do të kishe rënë në bela! Secili ëndërronte në Kosovën shtet, se do të jemi me dinjitet dhe jo të padinjitet! 

Sa sponsori, sa njeriu lëshoi tokën për fushë futbolli në vitet e 90-ta, sa futbollisti e sportisti sakrifikoi jetën për këtë ditë, që sporti të ketë dinjitet! A mos vallë, e meritojnë këtë ndëshkim! Sportistët e Kosovës nuk janë qen! Janë sportist që po na bëjnë krenarë në krye me të artën olimpike, Majlinda Kelmendin.     

Image

Ilustrim

Ju politikanët e Kosovës, apo iu vije goxha lezet kur xhudistja Majlinda Kelmendi po stoliset me medalje botërore! Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Erza Muminoviq, Shpat Zeka...

A u ndjetë krenarë kur Kosova e mposhti me 3:2 Bullgarinë në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2020 në futboll, a u ndjetë të lumtur kur Kosova në basketboll shënonte rezultate të bujshme, kur Kosova në hendboll mposhti Izraelin e barazoi me superfuqinë botërore Poloninë apo që u kualifikuan me U-21 në Kampionatin Botëror! A jeni krenarë që nuk e votuat ligjin për sponsorizim të sportit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat