Scaloni nuk mendon për Brazilin

Futboll

Scaloni nuk mendon për Brazilin

Më: 28 qershor 2019 Në ora: 11:03
Scaloni nuk mendon për Brazilin

Lionel Scaloni shpreson se Argjentina e ka rritur besimin te vetja, pas fitores ndaj Katarit, dhe do të jetë e suksesshme në çerekfinale të “Copa America”, kundër Venezuelës. Golat e Lautaro Martinez dhe Sergio Aguero e ndihmuan kombëtaren bardhekaltër për t’u kualifikuar në tetëshe të këtij turneu, që po zhvillohet në Brazil. Sonte, Albiceleste do të përballen me Venezuelën në “Maracana”. Fituesin e pret Selecao në gjysmëfinale. 

Scaloni tha se fitorja ka sjellë besimin e mjaftueshëm te të tijtë për të shkuar përpara: "Ne mendojmë se jemi mirë, ngaqë vijmë nga një fitore me rëndësi, që na dha një shtytje të rëndësishme psikologjike. Ndaj Venezuelës do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi të sigurt në vetvete".

Argjentina e ka dominuar Venezuelën në “Copa America”, duke i fituar të pesta ndeshjet mes tyre. Ajo ka shënuar 28 gola dhe ka pësuar vetëm 3 të tillë. Sidoqoftë, Scaloni bëri thirrje për përqendrim dhe kujdes, sepse Venezuela ishte e pamposhtur në Grupin A: "Futbolli ka evoluar. Sot, çdo ekip të vë në vështirësi. Prandaj, duhet kujdes i madh ndaj Venezuelës".

Scaloni ende nuk ka vendosur për formacionin, duke i mbajtur lojtarët të tendosur. Edhe një herë tjetër, trajneri i Argjentinës nënvizoi presionin e madh, me të cilin përballet vetë dhe të tijtë: "Këto lojtarë dalin në fushë për të luajtur futboll, por ndonjëherë kanë mbi supe presionin sikur po shkojnë në luftë. Me një presion të tillë ndaj tyre është e vështirë të luhet. Mesazhi duhet të jetë një dhe i vetëm për të gjithë argjentinasit: ndërsa ne po luajmë në “Copa America”, të gjithë të jemi në të njëjtën anë të llogores".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat