Qorrolli: Synimi im -  t’i mbroj me nder ngjyrat e Kosovës, të mos i zhgënjej njerëzit

Futboll

Qorrolli: Synimi im -  t’i mbroj me nder ngjyrat e Kosovës, të mos i zhgënjej njerëzit

Nga: Kemajl Goca Më: 28 qershor 2019 Në ora: 17:45
Kastriot Qorrolli

Që nga vitet e 90-ta, klubi i futbollit 2 Korriku nga Prishtina, ka zbuluar e formuar futbollist të shumtë, ndër ta edhe portierin e kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, që sot mbron ngjyrat me sukses të Atalantës.

2 Korriku është çerdhe e talenteve të futbollit dhe që e lakmojnë edhe shumë skuadra tjera me renome në vendin tonë! Klub që menaxhohet nga vëllezërit Baholli, të cilët dhanë shumë për futbollin dhe sportin në përgjithësi të Kosovës, në kohëra më të vështira.

Image

Një emër që po vjen në futbollin tonë është edhe talenti Kastriot Qorrolli. Mbrojtës luftarak, 18 – vjeçar, i gjatë 180 centimetra, luan me sukses në ekipin e 2 Korrikut për juniorë, po ashtu është pjesë edhe e kombëtares së Kosovës U-19.

Qorrolli është një mbrojtës që se ka shoqin, i pakalueshëm nga sulmuesit. Kur është ai në repartin e mbrojtjes edhe skuadra ka një siguri të madhe! Karakteristikë është se vjen nga një familje që janë të mishëruar me sportin, sidomos prindi i tij, Afrimi, ka qenë ndër portierët më të mirë të hendbollit dhe që i dha shumë KH Vjosës së Shtimes, në përgjithësi këtij sporti, në kohërat më të vështira.  Kastrioti ka synime të mëdha, synon që një ditë të luajë jashtë Kosovës.

“Bota sot”: Luani për 2 Korrikun e Prishtinës, në rolin e mbrojtësit, kur shtohet nevoja edhe në reparte tjera, si po ndjeheni në këtë mjedis?

Kastriot Qorrolli: Po, në repartin e mbrojtjes, sigurisht edhe ku është nevoja mi ndihmuar ekipit. Thjeshtë, i zbatojë detyrat e trajnerit.

Image

“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për futbollin?

Kastriot Qorrolli: Qysh kur isha i vogël asnjë sport tjetër nuk më ka bërë përshtypje përveç futbollit, vet dëshira ime. Ose, ndoshta edhe e kam të trashëguar gjenet nga prindi i cili një jetë të tërë ja ka kushtuar sportit.

“Bota sot”: 2 Korriku është çerdhe e talenteve, a është konkurrencë e fortë për një vend në përbërjen e parë?

Kastriot Qorrolli: Po, shumë. Aty ku ka konkurrencë ka edhe cilësi dhe kur është konkurrenca e fortë është edhe motivi më i madh!

Image

“Bota sot”: Jeni pjesë e kombëtares së Kosovës U-19, nën udhëheqjen e selektorit Ramiz Krasniqi, a është një ndjenjë krenarie por edhe një përgjegjësie?

Kastriot Qorrolli: Është e vërtetë aq sa është kënaqësi është edhe përgjegjësi, por ja vlen dhe jam shumë krenar për këtë, që mbroj ngjyrat e shtetit tim.

“Bota sot”: Cila ndeshje me kombëtaren iu ka mbetur në zemër deri me tash apo ajo që iu ka bërë paksa të dëshpëruar?

Kastriot Qorrolli: Fitorja kundër Anglisë në turneun e Romës në Itali, vërtet ishte një ndenje që nuk përshkruhet, ndërsa humbjen nuk e kisha quajtur zhgënjim por një shtytje për punë më të madhe. Dëshpërimi? Këtu në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me kombëtaren e Shqipërisë kur pësuam humbje

“Bota sot”: Flitet se keni disa oferta edhe jashtë Kosovës, a ka të vërtetë?

Kastriot Qorrolli: Po, mu ka ofruar mundësia që të provoj fatin në disa vende.

“Bota sot”: Cilin futbollist e keni idhull dhe cilin klub për zemër?

Kastriot Qorrolli: Nuk me pëlqen fjala idhull por karriera e Paulo Maldinit me ka frymëzuar në këtë rrugë, ndërsa ekipi është Barcelona.

“Bota sot”: Sa e keni përkrahjen e prindërve që të merresh me futboll?

Kastriot Qorrolli: Ju jam shumë falënderues që gjithmonë kanë bërë më të mirën për mua.

Bota sot”: E veçanta tjetër është se prindi juaj ka qenë portier i njohur i hendbollit, Afrimi, ndërsa ju jeni ndër mbrojtësit me të mirë në futboll. A  vendoset ju për futbollin apo prindi?

Kastriot Qorrolli: Futbolli ka qenë pjesë e fëmijërisë sime gjithmonë, andaj se kisha thënë se me është imponuar asgjë nga prindi përveç se e kam pas mbështetës dhe përkrahës gjithmonë dhe vazhdoj ta kem. Por, e gëzoj përkrahjen e një rrethi shumë më të gjerë dhe jo vetëm të familjes.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?

Kastriot Qorrolli: Synimi im në vazhdim është që të jem unë, Kastrioti dhe të mbroj me nder ngjyrat e kombëtares sonë, të mos i zhgënjej njerëzit që me përkrahin dhe me qëndrojnë pranë gjithmonë dhe dëshira ime është që t’ju them të rinjve që e duan sportin, se nëse punoni dhe nuk ndaleni dëshira do t’ju bëhet realitet.

“Bota sot”: A është rivalitet i madh në ligën e juniorëve?

Kastriot Qorrolli: Futbolli në Kosovë është duke përparuar shumë, kështu që cilësia dhe konkurrenca është gjithherë në rritje, por them se duhet ende shumë punë për të qenë të kënaqur.

Image

“Bota sot”: A shpresoni se së shpejti do të luani në ekipin e seniorëve?

Kastriot Qorrolli: Po, besoj se po shkojë asaj rruge që sporti jonë të bëhet shembull në rajon sepse kemi vlera. Shpresoj që të jem pjesë e seniorëve sepse synimi im është aty, që t’i ndihmojë ekipit tim në mënyrë të denjë përderisa jam pjesë e ekipit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat