Shotani pretendon një Vushtrri të moshës 18-22 vjeçare

Futboll

Shotani pretendon një Vushtrri të moshës 18-22 vjeçare

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2019 Në ora: 16:09
Shotani pretendon një Vushtrri të moshës 18-22 vjeçare

Është meritë e kryetrajnerit të dorëhequr Samuel Nikajt që Vushtrria u rikthye në elitën e futbollit të Kosovës. Dorëheqja e Nikajt pruri kryesinë vushtrrias në një pozicion mjaft të vështirë, por që nuk humbën shumë kohë dhe e gjetën kryetrajnerin e ri!  

Bekim Shotani prej trajnerëve më të mirë në vendin tonë, pas një kohe rikthehet në timonin e vushtrriasve, me të cilën ekip kaloi pjesën më të mirë të jetës së tij si sportist. Shotani nuk e pati të vështirë të firmos, për shkak se këtë ekip e njeh jashtëzakonisht mirë.  

“Arsyeja që jam kthyer është pas votimit të ligjit për sponsorizim nga Kuvendi i Kosovës, ku shumë donatorë kanë shprehur dëshirë ti bashkohen klubit. Jam në biseda me kryetarin e Komunës dhe drejtoreshën Fatmire Cecelia, që brenda kësaj jave të kryhen të gjitha procedurat me sponsorët dhe të kemi një organizim brenda për brenda klubi, falë edhe miratimit të ligjit për sponsorizim.

Jam kthyer në qytetin ku ka kalova krejt gjeneratat si futbollist (17 vjet) dhe si trajner (6 vite)”, tha Shotani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Vushtrria do të jetë kockë e fortë për secilin rival në elitë. “Ne synojmë mesin e tabelës, po ashtu të jemi sa me stabil, të kemi një balancë për këtë fillim, është një Superligë e fuqishme, e cila çdo vit është më e organizuar, kur dihet se ekipet po luajnë në Ligën e Kampionëve dhe të Evropës.

Po ashtu duke pasur parasysh edhe përforcimet nga Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria e vende tjera, trajnerë cilësor që po vijnë nga shtetet e rajonit, ka bërë Superligën të jetë në sytë e krejt botës”, thotë kryetrajneri vushtrrias.  Si çdo ekip që pretendon të përforcohet në afatin kalimtar, po ashtu edhe Vushtrria. ”Gjithsesi, në këtë afat kalimtar do të këqyrim krejt mundësitë për përforcime,  për fillim me lojtar vendorë që kanë talent, që kanë kontribuar dhe kanë cilësi. Do të shikojmë të përforcohemi aty ku kemi zbrazëti, ta rrisim cilësinë dhe të intervenojmë për përforcime në rrethin e Kosovës por edhe jashtë saj”, theksoi ai.

Shotani nuk e përjashton mundësinë që të përgatiten edhe jashtë Kosovës: “Synimet janë të shkojmë jashtë Kosovës. Plani im i punës karshi bordit është paraqitur që të shkojmë në Maqedoni, në Ohër ose në Strugë apo ndonjë vend tjetër, ku paraqiten kushtet e mira, edhe pse është gjithçka herët të flitet në këtë drejtim”. A është një fond premtues i lojtarëve të tanishëm për Superligë?

“Të them të drejtën, kam filluar prej zeros, gjithë lojtarë që kanë qenë janë me kontrata të skaduar, me secilin kemi filluar që të bisedojmë dhe të arrijmë marrëveshje, t’i fusim në kontratë.

Të kemi një grup homogjen të lojtarëve, 24, të moshës 18-22 vjeçare, të kemi një gjeneratë të re e të talentuar e Vushtrrisë”, përfundoi Shotani. Vushtrria është kampion i ligës së parë me 72 pikë, 13 më shumë se Dukagjini i Klinës që zuri vendin e dytë dhe Besa që përfundoi e treta në klasifikimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat