Icardi pret grumbullimin, Conte e ka vendosur: ja sa vlen sot argjentinasi

Futboll

Icardi pret grumbullimin, Conte e ka vendosur: ja sa vlen sot argjentinasi

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 16:53
Mauro Icardi

Interi dhe Mauro Icardi. Një divorc i heshtur, që po përgatitet të ndodhë, edhe pse sulmuesi zikaltër që ndodhet me pushime, pret me padurim rinisjen e stërvitjeve në mënyrë që të ballafaqohet me trajnerin e ri, Antonio Conte.

Por, sipas "Tuttosport", tekniku zikaltër, që nuk ka të drejtën të ndalojë prezantimin e argjentinasit në grumbullim, është i vendosur që të mos ketë të bëjë me numrin "9" dhe mos japë sqarime. Conte ia ka bërë të qartë Marottas, presidentit Zhang dhe drejtorit sportiv, Piero Ausilio, se Icardi nuk është në planet e tij dhe se duhet të largohet për të mos rrezikuar një tjetër krisje brenda grupit.

Pikërisht Icardi është zgjedhur si sakrifica për të financuar blerjen e Lukakut, që kushton jo pak. Edhe nëse sulmuesi argjentinas do të transferohej te Juventusi, rivali i urryer i tifozerisë zikaltër, sërish është një zgjedhje ose një vendim që duhet pranuar, për të mirën e bilanceve dhe të ardhmes.

Kujtojmë që Icardi ka shënuar 124 gola me Interin, por vlerësimi i kartonit të tij ka ndryshuar totalisht pas asaj që ndodhi në shkurt të këtij viti, kur nisi edhe divorci brenda "familjes", nga heqja e shiritit te mungesat e Mauros. Nga 110 mln eurot e klauzolës së famshme, nëse një klub prezantohet me 60 mln euro, Interi është gati të thotë "po".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat