Rama mund të jetë goditja e madhe e Partizanit

Futboll

Rama mund të jetë goditja e madhe e Partizanit

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 17:22
Rama mund të jetë goditja e madhe e Partizanit

Valdet Rama mund të jetë goditja e madhe e Partizanit në merkaton e verës.

Nuk është thjesht një hipotezë, pasi gjërat po shkojnë drejt konkretizimit dhe javën e ardhshme do të ketë një vendim të lojtarit.

Drejtuesit e Partizanit i kanë bërë një ofertë zyrtare kosovarit dhe tashmë ai po mendohet, edhe pse primar ka pasur rikthimin në Gjermani, aty ku një klub i Ligës së tretë ka kohë që e pret.

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin e kuq se drejtori Olsi Rama, me të mësuar se mesfushori ka përfunduar kontratën me Kukësin, është futur në bisedime dhe ka dëgjuar fillimisht kërkesat e lojtarit.

31-vjeçari mësohet se kërkon një pagë të përballueshme për mundësitë e Partizanit. Burime jozyrtare i thanë dje gazetës se kosovari ua ka bërë të ditur drejtuesve të kuq se do 8 mijë euro neto në muaj, plus bonuse për çdo gol dhe asist.

Gjithçka është lënë e hapur, por që çdo gjë varet nga lojtari tashmë, pasi te Partizani janë bindur për të bërë një sforco ekonomike. Për nivelin e Superiores, mesfushori që ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, bën diferencën.

Me Kukësin ai tregoi në pak ndeshje që luajti se çfarë ishte në gjendje të bënte. Ardhja e tij te Partizani, jo vetëm do të rriste konkurrencën, por do t’i jepte një bonus të kuqve, pasi i marrin rivalit për titull lojtarin më të mirë.

Pasi “rrëmbyen” brazilianin Melo, që doli i lirë nga Kukësi, e njëjta gjë do të ndodhë tashmë me Ramën, i cili ka përfunduar kontratën dhe ua ka bërë të qartë drejtuesve se nuk do të rinovojë.

Partizani i sezonit të ri është një “minë me sahat” në sulm. Vetëm gjatë merkatos së verës janë afruar lojtarë si Jozef Ekuban, Theofilus Solomon dhe Brajan Braun, të cilët kanë pa diskutim një kosto të madhe, por kurrsesi nuk mund të luajnë të tre në formacion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat