A është Kosova në rrugë të mirë? Flet Pashtrik Haxhimusa

Futboll

A është Kosova në rrugë të mirë? Flet Pashtrik Haxhimusa

Nga: Kemajl Goca Më: 7 gusht 2019 Në ora: 17:02
Pashtrik Haxhimusa: A është Kosova në rrugë të mirë?

Tifozët në Kosovë i madh dhe i vogël jetojnë me rezultatet e lakmueshme të kombëtares së Kosovës. Sidomos pas suksesit të madh në Ligën e Kombeve ku përfunduan në vend të parë në grupin 3 të divizionit D dhe siguruan biletën për në gjysmëfinalen e play-off-it, ku pritet në marsin e vitit të ardhshëm (nëse Kosova direkt nuk e siguron kualifikimin) të takohen me Maqedoninë e Veriut.

Image

Në një takim rasti, me ish portierin e klubit të futbollit Prishtina në fund të viteve të 80-ta, Pashtrik Haxhimusa, që një kohë ka mbrojtur ngjyrat përveç në ish Borcin (aktualisht Ferizaj) edhe më ish Cërvena Zvezda e Gjilanit, ka thënë se po ndihet jashtëzakonisht mirë që Kosova po përparon dhe po ngritët edhe në renditjen e FIFA-së.

Haxhimusa i takon gjeneratës së Prishtinës, kohës së Arbnor Morinës, Afrim Tovërlanit, Sunaj Keçit, Isa Sadriut, Fehmi Hysenit, Arbër Hasanxhekajt, Besnik Kollarit, Muhamed Kolenoviqit, Shukri Paçaradës, Harun Isës, Adil Vokrrit, Muharrem Sahitit etj. Haxhimusa prej portierëve më të mirë të asaj kohe që ka pasur Kosova, ka kohë që është duke jetuar në Gjermani. “Nuk do të harrojë kurrë kohën e viteve të 80-ta, sidomos të fundviteve të 80-ta kur isha pjesë e Prishtinës, kur e kisha trajner Ajet Shoshollin, që për mua ka qenë edhe privilegj të jem në mesin e asaj gjenerate dhe disa herë edhe standard në portë”, tha Haxhimusa për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ai flet edhe për rezultatet e kombëtares së Kosovës në grupin A. “Vërtet është mahnitëse kur sheh Kosovën me djelmosha të rinj, me punën që bëjnë në përgjithësi me stafin e trajnerëve, Federata e Futbollit të Kosovës dhe që kanë arritur për tri ndeshje të marrin pesë pikë, vërtet është sukses i madh. Të barazosh 1:1 me Bullgarinë në Prishtinë, 1:1 si mysafir më Malin e Zi, dhe të fitosh në Sofje me 3:2 kundër Bullgarisë, kjo dëshmi e një pune që po bëhet, që edhe neve në diasporë po na bënë të ndihem shumë të lumtur”, tha Haxhimusa.

“Kosova gjithmonë ka pasur talent të mëdhenj, si në kohën tonë, si tani dhe kjo po dëshmohet gjithnjë e më shumë. Në kombëtaren tonë po vijnë në shprehje cilësitë dhe rezultatet që kanë arritur në Ligën e Kombeve po ashtu edhe në grupin A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian 2020, nuk janë të rastit por fryt i cilësisë”, thotë Haxhimusa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat