Mbrojtësi i ardhur pritet titullar për Kukësin - Bota Sot
Mbrojtësi i ardhur pritet titullar për Kukësin

Futboll

Mbrojtësi i ardhur pritet titullar për Kukësin

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 10:56
Mbrojtësi i ardhur pritet titullar për Kukësin

Erhun Obanor pritet titullar kundër Partizanit. Prej tri ditësh Kukësit i është bashkuar në stërvitje qendërmbrojtësi nigerian, i cili ka ardhur si përforcim i rëndësishëm në një repart ku largimet kanë qenë masive.

23-vjeçari vjen pas aktivizimit në kampionatin kroat te NK Rudes dhe shikohet si lojtari që do të japë siguri në qendër të defensivës, aty ku vjet luanin emra me peshë si Ylli Shameti dhe Ardian Cuculi. Mosha e re, fiziku dhe fakti që është aktivizuar në një kampionat me nivel, u japin optimizëm drejtuesve verilindorë.

Me ardhjen e tij te Kukësi është përfolur se është përmbyllur merkatoja për këtë sektor, ndaj ai pritet që bashkë me Olsi Teqjen të kenë peshën e qendrës së mbrojtjes. Gjatë gjysmës së parë të kampionatit do të shikohet performanca e të dyve në qendër dhe nëse do të shihet e nevojshme, në janarit do të ndërhyhet. E megjithatë, nëse klubit i vjen ndonjë okazion, nuk përjashtohet mundësia që ta marrë që tani.

Gjithsesi, Shpëtim Duro e ka gjetur zgjidhjen brenda organikës. Ai e ka parë të arsyeshme që si alternativë tjetër për qendrën e mbrojtjes të përdorë Tome Kitanovskin. Maqedonasi luan në të djathtë, por duke qenë se gjatë karrierës është përshtatur heraherës në qendër, nuk do të ishte habi që në kushte emergjence të zhvendoset. Sa i përket formacionit për të premten, gjasat janë që lëvizje të ketë jo vetëm në mbrojtje, ku pritet debutimi i Obanor, por dhe në mesfushë.

Trajneri pret sa më shpejt zyrtarizimin e Kristal Abazajt, pasi dëshira është qe ai të federohet e pse jo të mos jetë në stol që në takimin e së premtes. Megjithatë, nuk dihet çfarë do të ndodhë. Palët kanë arritur akordin, por zyrtarizimi nuk po vjen akoma. Veriorët janë gati që të japin 8 mijë euro në muaj për shërbimet e lojtarit, në një kohë që rroga e tij tek Anderleht është 20. Nëse belgët pranojnë këtë ndarje, as transferimi nuk do të vonojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...