Nga Shkodra në Korçë - Bota Sot
Nga Shkodra në Korçë

Futboll

Nga Shkodra në Korçë

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 10:27
Nga Shkodra në Korçë

Java premierë e Kategorisë Superiore vjen këtë të shtunë me 4 përballje mjaft interesante, që do të japin përgjigjet e para të merkatos së zhvilluar dhe të punës në fazën përgatitore.

Gjithçka nis në orën 16:00 me derbin e veriut, nëse mund ta quajmë kështu, Vllaznia-Laçi. Shkodranët kthehen në Superiore pasi vuajtën “dënimin” njëvjeçar në Kategorinë e Parë, por pak, për të mos thënë aspak, nuk ka ndryshuar në mënyrën e menaxhimit të klubit kuqeblu, ku bashkia vijon të jetë aksionare e vetme.  Administratori Lici dhe drejtori sportiv Firat kanë kryer disa lëvizje, përveç trajnerit Jonuz janë afruar nder të tjerë Behar Ramadani, Herald Marku, Dajan Shehi dhe mbi të gjitha Ndriçim Shtubina, fati i keq i kalendarit të kuqebluve është se përballë kanë një skuadër të mirorganizuar e konturuar dhe e drejtuar nga një ekspert si Sulejman Starova.

Në orën 19:00 luhen tre takimet e fundit, Tirana-Luftërari, Teuta-Bylis dhe Skënderbeu-Flamurtari. Në “Selman Stërmasi” më sfidën mes bardhebluve dhe bluzinjve gjirokastritë, do të ketë shumë pritshmëri nga tifozët vendës, për vetë faktin se 24 herë kampionët e vendit kanë bërë ndryshime të shumta në formacion, pasi janë afruar lojtarë me emër dhe eksperiencë. Cale, Torasa, Batha, Dunga, Osmani, Vangjeli (vjen më 24 gusht)…, shumë emra sugjestionues, që i bëjnë tifozët të ëndërrojnë titullin, edhe pse duhet parë sesi do të funksionojnë si skuadër.

Nga ana tjetër, Luftëtari udhëton drejt Tiranës mes shumë të panjohurave. Skuadra është riformatuar nga e para me emra të rinj, ndërsa Klevis Dalipi u largua vetëm një ditë më parë, duke ia lënë vendin Klodian Duros. Duket e pamundur që Luftëtari të surprizojë dhe të dhurojë atë futboll të bukur të sezoneve të fundit, gjithsesi këtë do ta tregojë fusha e lojës në vazhdimësi.

Në “Niko Dovana”, Teuta pret skuadrën e sapongjitur në Superiore, Bylisin. Jashtë organikës së “Dejmve të Detit” Osmani, Progni, Hidi, Bicaj, Busic, Frashëri, Hakaj, Camara….në fushë Stivi Frashëri, Rustem Hoxha, Çyrbja, Nikac, Kouros, Emiljano Vila, Xhemalaj, jo pak ndryshime në organike për Teutën e sezonit 2019-2020, megjithatë objektivat nuk kanë ndryshuar, Europa është primare por gjithnjë duke mbajtur nën mbikëqyrje majën më të lartë të renditjes me shpresën që titulli kampion të rikthethet në Durrës pas 26 vitesh.

Përballë është menjëherë e shkuara, Isli Hidi e Ditmar Bicaj, 2 lojtarë që nuk u larguan buzagaz nga qyteti i mbretëreshës, dhe fati i dha menjeherë mundësinë e një hakmarrje sportive. Bylisi ka kryer disa lëvizje në merkato për të mos qenë një skuadër që ngjitet dhe zbret në ashensorin e Superiores pa ndaluar në asnjë kat.

Skënderbeu-Flamurtari, një përplasje e madhe rivalësh deri pak sezone më parë, sot ofron shumë të panjohura. Ekipi korçar, i detyruar nga dënimi 10-vjeçar i konfirmuar edhe në CAS, ka “humbur” thuasje të gjitha pjesët me vlerë, por presidenti Takaj duke emëruar një trajner si Ilir Daja shpreson të mbajë gjallë entuziazmin në qytetin juglindor.

Përballë do të ketë Flamurtari, që ekipin që vijon të prezantojë dita-ditës lojtarë të rinj, por pa kohën e mjaftueshme për të lidhur futbollistët me një tjetrin. Do të jetë mrekulli nëse kuqezinjtë arrijnë të marrin rezultat pozitiv që në start. Për të përfituar më pas nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...