Kosova luan për fitore ndaj Turqisë

Futboll

Kosova luan për fitore ndaj Turqisë

Më: 28 gusht 2019 Në ora: 14:41
Në këtë konferencë u paraqiten përzgjedhësja Afërdita Fazlija, kapitenja Valentina Limani dhe futbollistja Erëleta Memeti.

Kombëtarja e Kosovës, në konkurrencën e femrave, i ka filluar sot përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2021 kundër Turqisë, ndërsa sot ata kanë mbajtur konferencën për shtyp para kësaj ndeshje.

Në këtë konferencë u paraqiten përzgjedhësja Afërdita Fazlija, kapitenja Valentina Limani dhe futbollistja Erëleta Memeti.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija në këtë konferencë u shpreh optimiste para kësaj ndeshje, duke theksuar se përgatitje janë duke shkuar në mënyrën e duhur dhe shpreson që vashat e saj të arrijnë rezultat pozitiv.

Fazlija: Do luajmë për rezultat pozitiv

“Sa i përket kundërshtarit kemi informata, nuk i kemi informatat ndoshta të këtyre muajve të fundit, megjithatë në gjenerale kemi informata dhe para 2 viteve kemi pasur një takim, një ndeshje miqësore me Turqinë të cilën e kemi humbur 4 me 2. Megjithatë nëse shohim progresin të cilin e kemi ne për kombëtare për këto dy vite dhe lëvizjet që i ka pasur Përfaqësuesja e Turqisë besoj që do të jetë një lojë mjaftë cilësore prej të dyja kombëtareve,  mirëpo siç e do edhe rendi si ndeshje të parë, si hapje e kampanjës ne presim që kombëtarja e Kosovës, të nxjerr rezultat pozitiv nga ky ballafaqim. Momentalisht për këtë grumbullim kombëtarja e Kosovës ka ftuar në grumbullim 23 lojtare, 11 lojtare janë nga kampionati i Kosovës dhe pjesa tjetër janë nga shtete si Gjermania,  Zvicra dhe Austria.  Në përgjithësi forma e lojtareve është e mirë”, u shpreh Fazlija.

Kapitenia e kombëtares së Kosovës, Valentina Limani para kësaj ndeshje u shpreh se Kosova ka gjasat e veta për një rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe ajo do të ndodh nëse i kryejnë të gjitha detyrat e dhëna nga përzgjedhësja Fazlija.

Limani: Presim përkrahjen e madhe nga tifozët

“Besoj që vajzat janë shumë të motivuar. Në stërvitjet e fundit që kemi pasur kemi qenë shumë optimiste. Mendoj që do ta japim maksimumin. Do ta kryejmë punën tonë, atë se çfarë do të na thotë selektorja dhe do ta shohim rezultatin në fund të ndeshjes. Është një ndjenjë e veçantë për mua. Me qenë kapitene e Kosovës domethënë se selektorja ka shumë besim tek unë. Kemi shumë lojtarë nga jashtë dhe këtu dhe jemi të bashkuara dhe besoj që do të kemi edhe rezultate pozitive edhe në lojërat tjera. Besoj që do të vijnë shumë shikues dhe ne do t’ua kthejmë të mirë dhe në lojërat tjera që të jenë ende më shumë”, tha Limani.

Ndërsa futbollistja tjetër e Kosovës, Erëleta Memeti tha se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë për Kosovën, por do të japin maksimumin e tyre që të dalin me tri pikë nga kjo ndeshje.

Memeti: Shpresojmë në fitore

“Ka më shumë eksperiencë se ne në futboll por ne jemi përgatit mirë dhe besoj që do luajmë një lojë të mirë dhe shpresoj që kemi me fitu. Po e kam parë që shumë njerëz e kanë ditur që kemi me lujt të premten dhe ishalla vijnë njerëzit”, u shpreh Memeti.

Kosova bën pjesë në Grupin A, së bashku m e Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë dhe shpreson ta nisë mbarë këtë cikël kualifikimesh, i cili për herë të parë vjen me format të ndeshjeve vajtje-ardhje.

Ndërkohë që ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat