Gashi: Synimi ynë - ta rikthejmë Besën në Superligë

Futboll

Gashi: Synimi ynë - ta rikthejmë Besën në Superligë

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2019 Në ora: 19:21
Gashi: Synimi ynë - ta rikthejmë Besën në Superligë

Besa e Pejës dhe Drenasi shënuan fitore bindëse me rezultat 4:0 në duel me Vllazninë e Pozhoranit përkatësisht Arbërinë e Dobrajës, në kuadër të javës së parë të Ligës së Parë të Kosovës.

Futbollistët bënë lojë shumë të mirë dhe si pasqyrë e kësaj edhe rezultati ishte bindës. Një fitore bindëse në hapje të edicionit të ri, në një formë konfirmon se Besa është ndër kandidatët kryesor në luftë për dy vendet e para që i shpie direkt në elitë.

Futbollisti me përvojë, Dukagjin Gashi, beson e shpreson, se me angazhim, punë, disiplinë do t’ia arrijnë qëllimit që të rikthehen në elitë. Është interesant se në ligën e parë janë disa skuadra me renome të madhe, si Liria nga Prizreni, Besa, Vëllaznimi nga Gjakova, Trepça nga Mitrovica, KEK-u nga Kastrioti, Ramiz Sadiku i Prishtinës, shumica prej tyre synojnë dy vendet e para.

Gashi beson në cilësitë e ekipit të tij, se javë pas jave do të grumbullojnë sa më shumë pikë. 

“Bota sot”: Besa e nisi furishëm, a e keni pritur një start të tillë?
Dukagjin Gashi:
Xhiroja e parë është gjithmonë e vështirë por na eci shumë mirë për shkak se jemi përgatitur shumë mirë, me një trajner shumë cilësor siç është Miftar Rama, i cili e ka bërë një përgatitje të shkëlqyeshme të skuadrës dhe e kemi një organizim shumë të mirë.

“Bota sot”: A mendoni se Besa është më e organizuar se të gjitha skuadrat dhe synon rikthimin në elitë?
Dukagjin Gashi:
Mendoj se po, jemi të organizuar shumë mirë, një ekip shumë e kompletuar dhe besoj që deri në fund të kampionatit do të ngjitemi në Superligë, e kjo realizohet vetëm me seriozitet dhe me punë.

“Bota sot”: Çka e dallon Besën nga ekipet tjera?
Dukagjin Gashi:
Besën e dallon organizimi sivjet edhe përvoja e madhe që e kemi në skuadër. 

“Bota sot”: Në ligën e parë kemi disa skuadra me renome, si Liria, Besa, Vëllaznimi, Trepça, KEK-u, Ramiz Sadiku etj. a është konkurrencë e fortë?
Dukagjin Gashi:
Mendoj që është liga e parë goxha e fortë dhe mendoj që asnjë skuadër nuk është për t’u nënçmuar.

“Bota sot”: Sfida e radhës kundër Vitisë, a do të ishit të kënaqur edhe me një pikë apo synoni vetëm fitore?
Dukagjin Gashi:
Ndaj Vitisë shkojmë vetëm për fitore, jo vetëm këtë javë por në çdo javë do t’ju qasim ndeshjeve vetëm për fitore. Synimi ynë është ta rikthejmë Besën në Superligë. 

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë për dy vendet e para?
Dukagjin Gashi:
Mendoj që aty si konkurrent do ta kemi Lirinë, e cila është e organizuar mirë, po ashtu edhe Vëllaznimi, siç thash më lartë nuk ka asnjë ekip për t’u nënçmuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat