Bayerni nga Munihu në tri ndeshje ka dy fitore e një barazim në kampionatin gjerman! Kampioni shfryhet në Mainzin, duke i shkaktuar debakël me rezultat 6:1, në kuadër të javës së tretë.
Në minutën e 6-të, Jean-Paul Boetius me kokë shënon gol të bukur për epërsinë (0:1) te Mainzit.
Epërsia e hershme e Mainzit e motivoi edhe më shumë kampionin.
Benjamin Pavard, në minutën e 36-të, me shkathtësinë e tij brenda 16-shit, barazon shifrat 1:1. Një minutë pa përfunduar pjesa e parë, David Alaba nga gjuajtje e lirë shënon supergol në këndin e majtë, duke e lënë të shtangur portierin mysafir, 2:1 për Bayernin.
Në pjesën e dytë, përforcimi i ardhur nga Interi, Ivan Perishiç, thellon epërsinë në 3:1 në minutën e 54-të. Bayerni nuk ndalet, dhjetë minuta më vonë (64’), Kingsley Coman shënon për 4:1. Dy gola u shënuan për tre minuta, Robert Lewandowski në minutën e 78-të dhe Alphonso Davies në atë të 81-të, duke thelluar fitoren në 6:1.
Bayerni është në vend të dytë me 7 pikë, ka dy me pak se Leipzig dhe Mainz mban fundin e renditjes me 0 pikë.