Askush se priste nga Kosova këtë rezultat në Slloveni

Futboll

Askush se priste nga Kosova këtë rezultat në Slloveni

Nga: Kemajl Goca Më: 3 shtator 2019 Në ora: 18:59
Askush se priste nga Kosova këtë rezultat në Slloveni

Kombëtarja e Kosovës e filloi furishëm Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2021, e cila në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kishte shembur me rezultat 2:0 Turqinë! Kjo fitore i dha shpresa të mëdha se do të arrijnë më të mirën në përballje me Slloveninë, në kuadër të xhiros së dytë.

Megjithatë askush nuk e kishte menduar dhe as që e kishte pritur se do të pësojnë humbje të thellë me rezultat 5:0 nga sllovenet. Në fakt, shtrohet pyetja: A ishte Sllovenia shumë e fortë apo vashat tona nuk e patën ditën e tyre ose bënë paraqitje shumë të dobët?

A u ndje mungesa e qendërmbrojtëses Liridona Syla, e cila mungoi për shkak të lëndimit të hundës, që sipas informacioneve, ajo duhet të operohet të enjten e kësaj jave. Ndeshja u luajt në stadiumin Dravograd Sports Centre në Slloveni, por vashat tona nuk ishin të denjë, nuk treguan lojën sikurse në kryeqytet.

Periudha e parë e lojës ishte në favor të slloveneve, të cilat shënuan edhe dy gola. Lara Prashnikar e nisi serinë e golave në minutën e 14-të, ndërsa Mateja Zver realizoi për 2:0 katër minuta pa përfunduar pjesa e parë. Pjesa e dytë ishte fatale për Kosovën, ku pësuan edhe tri gola tjerë, sigurisht iu mungoi edhe përvoja dhe kjo ndikoi shumë. Në minutën e 48-të, Shpela Kolbl shënon për 3:0, kurse Zver thellon epërsinë në 4:O pikërisht në minutën e 56-të. Lara Prashnikar në formë të mirë shënon golin e dytë të saj dhe të fitores të thellë 5:0 në minutën e 62-të. Humbje e rëndë e Kosovë por që nuk duhet t’i demotivojë, pasi që ka ende shumë ndeshje deri në fund.

Padyshim se përzgjedhësen Afërditë Fazlinë e pret punë e madhe që të përmirësojë gabimet që u shfaqën në takim me sllovenet dhe të paraqitet më mirë për sfidat e radhës, ku ka në grup Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë. Kosova është në grupin A e cila mban vendin e katërt me 3 pikë sa ka edhe Sllovenia në pozitën e tretë, ndërsa ruset kryesojnë 6 sosh.

Sllovenia-Kosova    5:0
Shënuese: Prashnikar (14’ e 62’), Zver (41’ e 56’) dhe Kolbl (48’).
Kartonat e verdhë: Kos, Çonç – Hisenaj, Limani.
Sllovenia: Mersnik, Prsa, Erzen, Koroshec, Erman (Kos 48’), Çonç, Makovec, Kolbl, Begiq (Ivanusa 63’), Zver dhe Prashnikar.
Kosova: Leci, Tahiri, F. Shala, Hisenaj, Halilaj, B. Shala, Limani, Biqkaj (Ejupi 63’), Uka (Agaj 46’), Memeti dhe Reçica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat