Provokim i rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë ndaj Kosovës - Bota Sot
Provokim i rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë ndaj Kosovës

Futboll

Provokim i rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë ndaj Kosovës

Nga: K. G. Më: 18 shtator 2019 Në ora: 10:45
Provokim i rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë ndaj Kosovës

Cërvena Zvezda e Beogradit, kampion i Serbisë, këto ditë pritet të futet në Kosovë, për të zhvilluar ndeshjen me Trepçën fantome në Zveçan, në kuadër të 32-tës së finales së Kupës së Serbisë. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar ashpër në lidhje me këtë skandal të radhës dhe provokim të federatës serbe. 

“Federata e Futbollit e Kosovës reagon ashpër ndaj tendencës së Federatës së Futbollit të Serbisë që të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan, ndërmjet klubit ilegal ‘Trepça’ nga Mitrovica e Veriut dhe klubit Crvena Zvezda nga Beogradi.

Me këtë rast ftojmë FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë.

Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së.
FFK-ja, si organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë.

Ne jemi të hapur për t’i përfshirë nën ombrellën tonë të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë e që janë të regjistruara në institucionet e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!”, shkruan letrën e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe presidentit, Agim Ademi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat