Ka kohë që Interi nuk ka shkëlqyer si në pesë javët e para

Futboll

Ka kohë që Interi nuk ka shkëlqyer si në pesë javët e para

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 15:50
Ka kohë që Interi nuk ka shkëlqyer si në pesë javët e para

Ka kohë që Interi nuk ka shkëlqyer si në pesë javët e para të Serie A në futboll.

Pesë ndeshje, pesë fitore apo mori pikët maksimale, duke kryesuar renditjen me 15 pikë dhe ka dy më shumë se kampioni në fuqi, Juventusi, që renditet në pozitën e dytë.

Interi ka edhe mbrojtjen më të fortë deri me tash, sepse në pesë ndeshje ka pësuar vetëm një gol dhe ka shënuar gjithsej 10 ose mesatarja nga dy për ndeshje. Interi së fundi e mposhti me rezultat minimal 1:0 Lazion, duke vazhduar serinë e qind për qindtë të fitoreve! Trajneri Antonio Conte ka ndërtuar një Inter të fortë dhe me ambicie për titullin e kampionit, duke shpresuar dhe besuar se do ta thyejnë dominimin shumëvjeçar të Juves.  “Në pjesën e parë vuajtëm shumë.

Lazio e meritoi edhe barazimin përpara pushimit, patëm fat, megjithatë në pjesën e dytë dominuam dhe konsoliduam avantazhin. Sipas meje, është një fitore e merituar. Ku gabuam? E nisëm me agresivitetin e duhur, por pas golit të D’Ambrozios u tërhoqëm shumë. Sulmuesit kundërshtarë na vendosën në vështirësi dhe të jemi realistë: Handanoviç bëri disa pritje të jashtëzakonshme. Në pjesën e dytë, siç thashë, u rikthyem mirë në fushë, duke krijuar raste të rrezikshme, por ndeshja duhej mbyllur më parë.

Në tërësi i konsideroj tri pikë me peshë, të fituara kundër një skuadre shumë të fortë, plot cilësi, me lojtarë që luajnë së bashku prej shumë vitesh dhe një trajneri të zotë si Simone Inzagi”, ka thënë Conte.  “Kemi ende shumë punë. Në nivel projekti jemi një skuadër shumë e re, pasi kemi ndryshuar 10 elementë: u afruan nëntë të rinj dhe larguam pjesë të rëndësishme të grupit të kaluar dhe nuk ka rrugë të shkurtra, duhet të punojmë ditë pas dite. Në çdo rast, po shikoj rritje të dukshme. Më duhet t’i bëj komplimente skuadrës, e menaxhoi me personalitet ndeshjen.

Po del në pah puna e madhe që bëjmë gjatë javës, pesë fitore radhazi nuk mund të konsiderohen rastësi, lindin edhe nga mentaliteti i duhur. Rrotacioni?

Në disa raste duhet të rrezikoj duke lënë pushim disa lojtarë, sepse nuk mund të luajnë gjithmonë të njëjtit shtatë ndeshje në 20 ditë. Megjithëse gotën e shoh gjysmë plot. Të shohim reagimet pas humbjes së parë… Dhe nuk më intereson nëse flisni për titullin në këto momente”, tha Conte.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat