Salihu reagon ashpër lidhje me serbët dhe shkresën e FIFA-s

Futboll

Salihu reagon ashpër lidhje me serbët dhe shkresën e FIFA-s

Më: 26 shtator 2019 Në ora: 18:25
Salihu reagon ashpër lidhje me serbët

Ndeshja ndërmjet skuadrës serbe Trepça dhe Cërvena Zvezdës së Beogradit nuk do të zhvillohet në Zveçan, përkundër faktit se FIFA e ka kthyer përgjigjen jo shumë të pritur për Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Ne inkurajojmë Federatën e Futbollit të Kosovës që të tërheqë kërkesën e parashtruar pranë institucioneve të sigurisë, në mënyrë që ndeshja Trepça – Cërvena Zvezda të zhvillohet në Zveçan” shkruhet ndër të tjera në letrën e FIFA-s.

Mirëpo, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se diçka e tillë nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë. “Së pari them se ne ende nuk e kemi parë letrën, pasi sot kemi qenë të zënë me aktivitete tjera. Por, sido që të jetë, është e qartë se ajo ndeshje nuk do të zhvillohet, pasi në territorin e Kosovës  gara mund të organizojë vetëm Federata e Futbollit e Kosovës dhe askush tjetër”, ka thënë Salihu për Insportin.

Ai ka shtuar se, FIFA nuk dëshiron dhunë dhe as imponime, ndërsa kjo duhet të kuptohet edhe me fjalët: “Ne inkurajojmë Federatën e Futbollit të Kosovës që të…’. Kjo është çështje shtetërore dhe një gjë të tillë nuk mund ta lejojë shteti i Kosovës.

Ne jemi të pranuar në UEFA dhe FIFA të barabartë me të gjithë të tjerët, prandaj këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat