Juventus mërzit edhe Agnelli-n: A është kjo që njerëzit duan?

Futboll

Juventus mërzit edhe Agnelli-n: A është kjo që njerëzit duan?

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 16:14
Andrea Agnelli

Presidenti i Juventus-it, Andrea Agnelli, është kthyer të flasë për projektin Super Champions. Dhe e ka bërë këtë me rastin e zhvillimit të Leaders Week në Londër, ku ka theksuar dëshirën për të ndryshuar futbollin europian.

"Duam të shohim ndeshje me më shumë cilësi, nëse nuk shikojmë përpara, do të vazhdojmë të mbrojmë një sistem ndeshjesh kombëtare që do të kenë pak interes për fëmijët tanë", ka thënë numri një i "Zonjës".

"Ky nuk do të jetë kurrë një kompeticion i mbyllur, sepse e dimë mirë sa e vlefshme është të kesh një sistem të hapur. Të gjithë duhet të kenë ëndrrën të fitojnë Champions League. Nëse mendojmë për fazën me grupe të Champions-it, mund të imagjinojmë që tani 15 ose 16 ekipe të kualifikuar".

Sipas Agnelli-t, kjo reformë duhet bërë edhe për shkak të monopolit të krijuar në kampionatet kryesore të Europës. "Me përjashtim të Premier League, kampionatet janë të monopolizuar. Duam të reformojmë kompeticionet europiane edhe për këtë arsye".

"I pakënaqur nga dominimi i Juventus-it? Nuk ankohem, por a është kjo që duan njerëzit? Qëllimi është të krijojmë sa më shumë ndeshje të rëndësishme dhe tërheqëse", ka thënë Agnelli.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat