Kurti: Kosovën e radhiti me kombëtaren e Spanjës! 

Futboll

Kurti: Kosovën e radhiti me kombëtaren e Spanjës! 

Nga: Kemajl Goca Më: 15 tetor 2019 Në ora: 17:33
Kurti: Kosovën e radhiti me kombëtaren e Spanjës! 

Populli i Kosovës dhe kudo që veprojnë e jetojnë shqiptarët, vazhdojnë të kremtojnë fitoren e kombëtares së Kosovës me rezultat 2:0 në përballje me Malin e Zi, në kuadër të grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020. Fitore që shton gjasat reale për kualifikim dhe që e shton edhe presionin te Çekia, me të cilën do të takohen me 14 nëntor në Pragë.

Ish futbollisti i mirënjohur Xhevat Kurti, ish reprezentuesi i Kosovës, tha se deshën apo nuk deshën, kemi para vetes dy finale, e para me Çekinë me 14 nëntor, dhe e dyta me Anglinë me 17 nëntor në Prishtinë. Kosova është në pozicion shumë të mirë përkatësisht në vend të tretë me 11 pikë, ngec për një pikë nga Çekia dhe për katër nga Anglia, që udhëheq renditjen e grupit A.

“Kosovën pas lojës me Malin e Zi e shoh shumë stabile dhe rezistuese. Kemi një program të fortë, kemi para vetes dy finale të njëpasnjëshme, që mendoj se loja e radhës kundër Çekisë do të jetë lojë vendimtare edhe pse jemi shumë më të mirë se çekët. Besoj se do të kemi vështirë në terrenin e tyre që të luajmë si mysafire, në një atmosferë të panjohur për ne! Por djemtë e Kosovës janë ata që kanë respekt për çdo kombëtare, nuk i përulen askujt, janë shumë profesional, kanë një trajner ekspert futbolli që është për çdo lëvdatë”, thotë Kurti për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Ish futbollisti i Trepçës, Prishtinës, Besëlidhjes, Besianës, Trepçës ’89, Drenicës, APV e VPK të Finlandës etj. tha se Kosova e vlerëson në një rang me Spanjën!

“Sa i përket lojës së Kosovës unë nga ana ime profesionale, Kosovën e radhiti me kombëtaren e Spanjës, pak a shumë me duket se ashtu luajmë futboll me pasime të shkurta dhe të sakta, kemi mesin e fushës, besoj shumë të mirë, portierin Aro Muriç është për çdo lëvdatë, shumë stabil që luan edhe me këmbë, dy anësorë shumë të mirë mesfusha përfekte në krye me Besart Berishën & Milot Rashicën, si dhe Celina me Muriqin, bankën rezervë me mjaft lojtarë cilësorë, që çdo ditë na japin oreks edhe më të madh për arritjen e cakut tonë!”, tha Kurti. Ish mbrojtësi prej më të mirëve në vendin tonë në periudhën e pasluftës, e ka një bindje se djelmoshat tanë mund të fitojnë në Çeki.

“Ndeshjen e radhës me Çekinë? Besoj dhe shpresoj se do të fitojmë, kam bindjen e fortë se do ta mposhtim më lehtë se në Prishtinë. Do të jetë ndeshje e vështirë por gjithsesi djemtë tanë vrapojnë mjaft shumë edhe luajnë për mrekulli. Për ndeshjen me Anglinë, do të jetë qershia mbi tortë, luajmë kundër anglezëve  pikërisht kundër shtetit që e shpiku lojën e futbollit, luajmë në shtëpi, dihet atmosfera dhe mundësit që kemi si ekip. Por, Kosova ka edhe rrugën tjetër drejt europianit nga Liga e Kombeve sigurisht që ne jemi favorit në at kompeticion që të kualifikohemi”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat