Neziri: Nuk ka vend për gabime  - Bota Sot
Neziri: Nuk ka vend për gabime 

Futboll

Neziri: Nuk ka vend për gabime 

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 16:31
Flamur Neziri

Një fitore, një barazim, shtatë humbje, me goldallim 2:14, është bilanc negativ për Dukagjinin e Klinës, e cila renditet në vend të 12-të (i fundit) në elitën e futbollit të Kosovës.

Skuadra nga Klina në disa ndeshje nuk pati fat e në disa nuk i shkoi ashtu siç pretenduan, kështu që nuk arritën me shumë se 4 pikë deri me tash dhe aq më keq sulmuesit patën efikasitet të zbehtë, për nëntë ndeshje shënuan vetëm dy gola.  

Kampionati ka pauzuar pothuajse qe dy javë për shkak të aktiviteteve të kombëtareve, që për disa skuadra ka qenë i mirëseardhur për t’i shmangur disa nga dobësitë që janë shfaqur në nëntë javët e para.

Portieri i Dukagjinit të Klinës, Flamur Neziri, e pranon se kanë pasur krizë në fillim të edicionit por tani vetëm janë në rrugë të mirë për rezultate. “Secili ekip i ka krizat e veta. Ne kemi pas krizë në fillim por besoj që këto ndeshjet e fundit veç kemi filluar me u këndell dhe besoj që do t’ju kthehemi rezultateve pozitive”, tha Neziri për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se Dukagjinin nuk po e përcjell edhe fati sportiv? “Në momente vendimtare s’kemi pas edhe fat por nganjëherë në kësi situata që jemi duhet besim dhe ekipi të jetë i bashkuar”, përgjigjet portieri. Nëse shikohet renditja, Dukagjini ka gjasa të ngritët në tabelë, pasi që vendi i tetë nuk ka më shumë se pesë pikë larg ekipit tuaj, si e sheh këtë diferencë? “Trajneri Xhengis e ka menaxhuar mjaft mirë situatën dhe së bashku besojmë se do t’i tejkalojmë këto momente që kemi pas”, theksoi ai.

Është interesant se Dukagjini e pret Vushtrrinë, pastaj i shkon Drenicës në Skenderaj, një mundësi e mirë për t'u këndellur. Çfarë thotë Neziri? “Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe do të japim maksimumin që t’i kthejmë rezultatet pozitive”. Dukagjini ka mobilizuar forcat për sfidat e radhës, me synim që të mbledhin sa më shumë pikë e të largohen nga pjesa e poshtme e renditjes.

Në klub punohet me ritëm të shtuar dhe secili me bindje se me kalimin e javëve do të arrijnë rezultate gjithnjë e më të mira.

Çka i duhet me shumë ekipit dhe çfarë iu premton tifozëve klinas? “Ekipit i duhen fitore dhe vetëm fitore sepse nuk ka vend për gabime. Tifozëve klinas i falënderoj shumë që gjithmonë na kanë përkrah dhe ju premtoj që në fund do t’i arrijmë objektivat që i kemi”, ka deklaruar Neziri.  

Klinasit janë në kërkim të lojës sa më të përsosur dhe për të arritur rezultate të favorshme. Klub që pas 16 viteve është rikthyer në elitë dhe ka trajner Xhengis Rexhepin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat