Wayne Rooney e mbyll përvojën në MLS

Futboll

Wayne Rooney e mbyll përvojën në MLS

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 19:28
Wayne Rooney

Wayne Rooney përfundoi karrierën në Major League Soccer, pasi ekipi i tij DC United u mund 5-1, pas kohës shtesë, në Kanada, nga Toronto. Rooney, që ditën e enjte do të festojë 34-vjetorin, luajti për plot 105′, megjithatë për të dytin vit radhazi “franchise” nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara dështoi për t’u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes.

Ish-kapiteni dhe njëherësh edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester United është konsideruar si një ndër futbollistët më të rëndësishëm të ekipit nga Washingtoni, madje sulmuesi nga Merseyside e mbylli sezonin e rregullt si golashënuesi më i mirë i skuadrës. Wayne Rooney shënoi 11 gola gjithsej në këtë edicion, 4 prej të cilëve me 11-metërsh, por sidoqoftë shumë prapa ish-shokut të tij te “Djajtë e Kuq”, Zlatan Ibrahimovic, që me fanellën e ekipit kalifornian LA Galaxy e përfundoi “regular season”-in në kuotën e 30 golave, në një kohë kur golashënuesi më i mirë i sezonit të rregullt u shpall pikërisht kapiteni i “franchise”-t tjetër të Los Angeles-it, ish-lojtari i Arsenalit, meksikani Carlos Vela, me plot 34 gola.

Ish-kapiteni i përfaqësueses angleze, që me fanellën e “Tre Luanëve” në harkun e 16 vjetëve ka shënuar 53 gola në 120 ndeshje gjithsej, luajti në këtë mënyrë ndeshjen e tij të fundit në MLS. Në vitin 2018 Wayne Rooney fillimisht firmosi një kontratë për tre vite e gjysmë dhe mori numrin 9 te DC United, megjithatë në ditët e para të muajit gusht sulmuesi arriti marrëveshjen me drejtuesit e ekipit kryeqytetas për t’u larguar dy vjet më herët nga ç’ishte parashikuar në kontratë, për t’u emëruar në muajin janar si trajner – lojtar në radhët e klubit nga Championshipi, Derby County, duke e mbyllur kështu aventurën e tij në Amerikën e Veriut pas vetëm 18 muajve.

Në fund të takimit, trajneri Ben Olsen deklaroi se Rooney ka dhënë një ndihmesë të madhe për klubin, sidoqoftë, sa i përket ndeshjes, pavarësisht golit të barazimit të shënuar në 93′ nga sulmuesi i ri argjentinas, Lucas Rodriguez, DC United pësoi katër gola që në shtesën e parë, duke u larguar nga Ontario me disfatën e rëndë 5-1, ndërsa vitin e kaluar “franchise” nga Washingtoni u eliminua po në të njëjtën fazë nga Columbus Crew, për më tepër brenda në kryeqytet pas gjuajtjes së 11-metërshave.SS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat