Akuzat ndaj gjyqtarëve të Superligës, Hasani: Kush ka fakte t’i dërgojë në Prokurori

Futboll

Akuzat ndaj gjyqtarëve të Superligës, Hasani: Kush ka fakte t’i dërgojë në Prokurori

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 13:57
Përparim Hasani

Gjatë ditës së djeshme disa kryetarë të klubeve të Superligës së Kosovës dolën kundër gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës duke pretenduar për njëanshmëri në ndarjen e drejtësisë në disa ndeshje.

Kryetari i klubit të Feronikelit, Naser Ramaj, ai i Ballkanit, Arsim Kabashi dhe kryetari i klubit të Llapit, Beqir Batatina janë ankuar se të gjitha investimet e tyre janë duke shkuar dëm dhe e gjithë kjo po ndodh për shkak të disa personave në FFK dhe disa gjyqtarë.

Madje skuadra llapjane gjatë ditës së djeshme ka kërcënuar edhe me tërheqje nga Superliga e Kosovës.

Më i zëshmi prej tyre ishte kryetari i klubit të Feronikelit, Naser Ramaj i cili ka thënë se shumica prej refërëve janë duke u blerë me shumë prej 2000, 3000 e 5000 euro.

Sot, Ramaj ka deklaruar se të gjitha ato çfarë i ka thënë gjatë ditës së djeshme janë të vërteta.

“Të gjitha ato çka i kamë thënë dje për fat të keq janë një realitet i hidhur i futbollit të Kosovës, madje këto po ndodhin në çdo ndeshje të futbollit”, tha Ramaj.

Ndërsa kryetari i referëve të Kosovës, Përparim Hasani në një intervistë iu është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se të gjithë ata që kanë fakte, le t’i deponojnë ato në Prokurori dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Hasani: Nëse ka fakte le të deponohen në Prokurori e FFK

“Pika e parë, gjithmonë e kam cek se nuk jemi të pagabueshëm, por gabimet e qëllimshme që janë dënuar, janë dënuar në heshtje, por kisha me cek, që janë cekur nga presidenti i Feronikelit që janë duke u shitur referët, unë i kisha propozuar që nëse ka dëshmi kush, kujt i ka dhënë dhe kush ka marrë ose le t’i deponon në prokurori ose le t’i deponon në Federatë. Kështu që ne nuk jemi të interesuar, pika e parë, ne si komitet i referimit jemi të gatshëm të bashkëpunojmë që të gjithë ata referët që janë të korruptuar vend në Federatë nuk ka”, tha fillimisht Hasani.

Hasani shtoi se nëse ka fakte dhe del që ndonjë gjyqtarë i korruptuar, ai refer nuk ka vend në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe automatikisht do të përjashtohet.

Hasani: Referët e korruptuar nuk e kanë vendin në FFK

“Ajo dihet prokuroria do të merret me të. Unë e ceka edhe më parë që nëse janë faktet le t’i dëshmojnë dhe ai refer i cili është i korruptuar nuk ka vend këtu te referojë në Ligën e Kosovës dhe automatikisht do të përjashtohet”, shtoi Hasani.

Hasani gjithashtu theksoi se referët në Kosovë janë në mbikëqyrje të UEFA-s dhe FIFA-s dhe së në të gjitha seminaret e mbajtura nga institucionet më të larta të futbollit në Kosovë janë cilësuar si të suksesshme nga të dërguarit e tyre.

Hasani: Jemi gjithmonë nën mbikëqyrjen e UEFA-s dhe FIFA-s

“Ne i kemi dy treshe me stemë të FIFA-s, ne jemi gjithmonë në mbikëqyrje të UEFA-s edhe FIFA-s, ku njëri nder ta që jemi të mbikëqyrur është Alens Nodi, i cili është instruktor shumë i lartë në UEFA dhe FIFA, kështu që gjithmonë jemi në bashkëpunim me të. Plus asaj ne kemi mbajtur seminar të cilët i kanë vlerësuar shumë mirë, kështu që po iu jepet mundësia të gjithë referëve që edhe pa stemë të dalin në Evropë. Ku është një klauzolë e cila lejon që edhe pa stemë të shkojmë në Evropë. Rastin e kemi, tash Genc Nuza është në Skoci me Granit Hysenin i cili nuk e ka stemën e FIFA-s por i mundësohet që të dal në Evropë, se para një viti ka qenë në Zvicër, dy herë ka qenë nga 10 ditë kështu që është cilësuar si refer i mirë dhe iu ka dhënë mundësia që të shkojë në Skoci” përfundoi Hasani.

Mbetet të shihet në të ardhmen, nëse kryetarët e klubeve do të dërgojnë faktet e tyre në organet kompetente për akuzat drejtuara gjyqtarëve dhe komisionit të gjyqtarëve brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat