Talenti i Kosovës U19, Andi Selimi flet rreth Kosovës dhe karrierës së tij futbollistike

Futboll

Talenti i Kosovës U19, Andi Selimi flet rreth Kosovës dhe karrierës së tij futbollistike

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 10:12
Andi Selimi

Kosova vazhdimisht është duke u pasuruar me talent, dhe kjo vërehet edhe nga grumbullimet e Kosovës në grupmoshat e reja.

Një ndër ta është edhe futbollist Andi Selimi, i cili karrierën e tij futbollistike është duke e vazhduar në shtetin e largët, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Selimi është ftuar për herë të dytë nga përzgjedhësi i Kosovës U19, Ramiz Krasniqi në grumbullim i cili u mbajt ditë më parë dhe që zgjati tri ditë.

17 vjeçari në një intervistë foli për shumë çështje duke filluar nga grumbullimi me Kosovën e deri tek karriera e tij personale në Amerikë.

Selimi fillimisht pohoi se është një ëndërr për të që ta përfaqësoj vendin e tij, dhe kjo gjë e bënë të ndihet tejet krenar atë.

Ftoheni për herë te dytë nga Kosova, si ndjeheni?  

“Të ftohesh dhe aq më tepër të përfaqësosh vendin tënd në futboll është ndjenjë tejet e veçantë dhe ëndërr besoj e secilit futbollist. Ndihem tejet mirë që puna ime e vazhdueshme dhe progresi në rritje e sipër është ndjekur dhe vlerësuar, dhe si rrjedhojë sot barti me krenari fanellën e Kosovës, gjë e cila vjen me përgjegjësi të madhe dhe në të njëjtën kohë më bën krenar”, tha fillimisht Selimi.

 Ai theksoi se gjatë grumbullimit të kombëtares U19, nuk ka ndonjë problem me shokët e tij të skuadrës. Selimi gjithashtu falënderoi stafin dhe bashkëlojtarët që po mundohen ta realizojnë në mënyrën sa më të mirë grumbullimin.

A keni ndonjë vështirësi gjate grumbullimit tek Kosova?

“Jo aspak, mendoj që grupi ynë ka harmoni të jashtëzakonshme në brendësinë e tij dhe kësisoj na e bën integrimin e secilit më të suksesshëm. Shfrytëzoj rastin të falënderoj stafin e trajnerëve në krye me trajnerin Krasniqi, asistentët, stafin mjekësor dhe përfaqësuesit e tjerë të federatës të cilët e mundësojnë realizimin sa më të mire të grumbullimeve tona”, shtoi ai.

Selimit i duhet të bëjë shumë kilometra udhëtim për të ju bashkangjitur skuadrës së Ramiz Krasniqit, mirëpo një gjë  e tillë për të nuk është ndonjë problem i madh për të.

A është e vështirë për ju te udhëtoni nga Amerika për ne Kosove, për grumbullimet me Kosovën?

“Normalisht që udhëtimet nga Amerika e largët nuk janë më të lehtat, pas parasysh kohëzgjatjen e udhëtimit dhe më pas nevojën e ambientimit me kohën në afat rekord, duke pasur parasysh se zakonisht kam ardhur në prag të grumbullimit sepse patjetër që mu është dashur të mos humbas ditët e mësimit në shkollë në Neë Jersey”, theksoi 17 vjeçfari.

Ndërsa sa i përket karrierës së tij personale në Amerikë duke theksuar se është shumë i kënaqur me arritjen e tij të deritanishme duke theksuar se pret që shumë shpejt të marrë përvoja të reja, që do ti shërbejnë për ndërtimin e ti si një futbollist i kalibrit botëror.

Si po shkon karriera juaj në Amerikë?

“Jam shumë i kënaqur me arritjet e deritanishme, gjithsesi nuk mjaftohem asnjëherë me arritjet personale apo të ndihem komod. Futbolli, njësoj si sportet tjera, kërkon angazhim maksimal në aspektin e përgatitjes fizike dhe psikike, si dhe ngritje konstante të performancës atletike. Tek akademia ku luaj kemi kualitet të mirë të futbollistëve dhe shpesh herë ballafaqohemi me skuadra të para apo miqësore me ekipe nga MLS, dhe kjo shërben për të rritur përvojën si profesionist dhe po ashtu më mundëson të sfidoj veten me futbollistë të ndryshëm, por mbi të gjitha të mësoj nga secila aksion apo lëvizje”, shtoi ai.

Në fund Selimi foli edhe për të ardhmen e tij, duke pohuar se karriera e tij është në rritje e sipër dhe është duke punuar që të arrijë suksese tjerat në aspektin personal.

Çfarë pritni ne te ardhmen me Kosovën dhe ne karrierën individuale tënden?

“Të vazhdoj fokusimin dhe përkushtimin në ngritje të nivelit personal profesional në futboll, dhe të punoj fuqishëm që të jem kompetitiv me futbollistët nga ligat më elitare në botë. Thënë ndryshe, karriera është në rritje e sipër, dhe po punoj fortë që të arrij objektivat e mia profesionale në futboll, e që definitivisht cak kanë Evropën. Pjesë e ngritjes në karrierë është definitivisht Kosova, me të cilën përpos që promovohemi, edhe ngrisim cilësitë dhe njohuritë e të luajturit futboll”, përfundoi Selimi.

Selimi shihet si një ndër talentët që premton shumë për Kosovën, dhe tashmë një gjë është e sigurt që Kosova ka një të ardhme të ndritur, me grupmoshat e reja të cilat janë duke treguar sukses të madh në ndeshjet kualifikuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat