Granit Xhakës i merret shiriti i kapitenit, Aubameyang kapiten i ri i Arsenalit

Futboll

Granit Xhakës i merret shiriti i kapitenit, Aubameyang kapiten i ri i Arsenalit

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 21:21
Granit Xhaka

Granit Xhakës i është hequr shiriti i kapitenit të Arsenalit nga trajneri Unai Emery, pas zënkës që e pati javë më parë me tifozët e skuadrës.

Kapiten i ri i klubit nga Londra Veriore është emëruar Pierre-Emerick Aubameyang.

Trajneri spanjoll Emery e la Xhakën jashtë skuadrës së Arsenalit për ndeshjen me Vitoria në Europa League, e cila zhvillohet nesër në Portugali.

Duke folur në një konferencë për media para ndeshjes, Emery konfirmoi se Xhaka e ka humbur shiritin e kapitenit, i cili iu dha muaj më parë, dhe ai tani do t’i takojë sulmuesit Aubameyang.

“Kisha një takim me të (Xhakën) dhe i tregova se ai nuk është më kapiten i këtij grupi”, zbuloi Emery.

“Ai e pranoi vendimin tim. Ne duhet ta vazhdojmë përpara dhe të përqendrohemi në ndeshjen e nesërme. U desh ta merrja këtë vendim dhe kjo çështje është mbyllur tani”, theksoi ai.

Xhaka u fishkëllye nga tifozët e vet teksa doli nga fusha pasi u zëvendësua në barazimin e klubit londinez 2:2 me Crystal Palace javë më parë.

Kjo e nxiti atë të reagojë më zemërimin ndaj tifozëve, duke ia hedhur shiritin e kapitenit bashkëlojtarit të vet Pierre-Emerick Aubameyang, para se t’i shante tifozët e vet.

Mesfushori shqiptar e vazhdoi tërbimin dhe e hoqi fanellën para se të futej në tunel rrugës për në zhveshtore.

Për disa ditë, 28-vjeçari refuzoi të kërkojë falje edhe pse iu kërkua nga klubi, para se ta thyente heshtjen dhe ta bënte një gjë të tillë në një letër të hapur në rrjetet sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat