Zhegrova për ‘Blick’: Nuk jam Messi, jam Edoni

Futboll

Zhegrova për ‘Blick’: Nuk jam Messi, jam Edoni

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 13:44
Zhegrova për ‘Blick’: Nuk jam Messi, jam Edoni

Mediat në Zvicër e kanë quajtur “Messi të Kosovës”. Por, Edon Zhegrovës si duket nuk i ka pëlqyer ky krahasim.

“Jam Edoni, jo Messi”, thotë talenti i Kombëtares së Kosovës, teksa e krahasojnë me yllin e Barcelonës që prej kur ai ishte 12 vjeç, në vitin 2011, shkruan Insporti. Zhegrova në një kamp të të rinjve në vitin 2011 në Kosovë, kishte filluar që të krahasohej me futbollistin më të mirë në botë.

Saktësisht 8 vite më parë, ylli i ri i Baselit, nga gjithsej 200 fëmijë në kamp u zgjodh futbollisti më i mirë dhe u stërvit në kampin e Milanit.

‘Milan Junior Camp’, që i përkiste sektorit të të rinjve të AC Milanit kishte zgjedhur 200 fëmijë të moshave 8-14 vjeç.

Titulli i ‘Blick’ për Zhegrovën: Ky është Messi kosovar i Baselit

Programi ishte unik pasi që i mundësonte fëmijëve që të tregonin aftësitë e tyre me topin me shpresën që do të tërhiqnin vëmendjen e skautëve që po shikonin për talentë të futbollit.

Sidoqoftë, duket se këto krahasime nuk e merakosin më, teksa ai ka folur në një intervistë për ‘Blick’.

Te Baseli Zhegrova nuk po kalon në kohën më të mirë në karrierë, që prej kur u transferua në Zvicër në muajin shkurt të këtij viti, në formë huazimi.

Blick zbulon se Zhegrova do të luajë titullar me Baselin të enjten (sot) në kuadër të Ligës së Evropës, ndaj Getafes. Kjo edhe për shkak se skuadra do të jetë në mungesë të Kevin Bua e Valentin Stocker, për shkak të lëndimeve.

“Sigurisht se gjithmonë doni të luani. Por, trajneri më thotë se duhet të jem i durueshëm, të punoj shumë. Këtë dua të bëj”, thotë Zhegrova.

Zhegrova duke festuar me sulmuesin, Kemal Ademi, te i cili asistoi javën e kaluar

Zhegrova zbulon se si deri sa të vërehej në këtë kamp të juniorëve, ai kishte luajtur vetëm në rrugët e Prishtinës.

“Me disa gurë i bënim portat dhe aty shënonim. Kur vinte ndonjë veturë, duhet t’i hiqnim ato dhe ta ndalnim lojën”, thotë ai.

Ai këtë teknikë të sotme e ka përvetësuar në rrugë. Edhe sot, ai flet me entuziazëm për këtë kohë: “Meqë askush nuk ju tregon çka të bëni, ju mund të dribloni si të keni qejf, jeni krejtësisht i lirë”.

Dhe ky pikërisht është problemi i tij sot, shkruan gazeta zvicerane ‘Blick’, transmeton Insporti

Nganjëherë ai e humb momentin e duhur gjatë ndeshjes. Por nën trajnerin Koller, ai ka bërë progres. Javën e kaluar ndaj Stade Lausanne në kupë, ai u fut në lojë nga banka rezervë dhe me shpejtësinë e driblimit të tij asistoi te goli i barazimit.

Gjithashtu ndaj Neuchatel Xamaxi të dielën, ai shkëlqeu me asistim, teksa u zgjodh edhe lojtari i ndeshjes dhe u fut në formacion të javës.

Por krahasimet me Messin nuk e pengojnë. “Jam Edoni, jo Messi”, thotë ajo. Sido që të jetë, kjo nuk e pengon atë që të vendos synime të mëdha para vetes.

Ai vazhdon që të ëndërrojë për Barcelonën, ashtu siç bënte edhe në kohën kur luante në rrugët e Prishtinës plot pluhur. “Ëndërroni shumë”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat