“Torcida” ndihmon Shqipërinë pas tërmetit

Futboll

“Torcida” ndihmon Shqipërinë pas tërmetit

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 16:43
Grupi i tifozëve “Torcida” nga Mitrovica

Grupi i tifozëve “Torcida” nga Mitrovica ka vazhduar sot në qendër të këtij qyteti grumbullimin dhe takimin me të gjithë ata që duan të ndihmojnë popullin e Shqipërisë pas tërmetit që goditi dje në orët e mëngjesit këtë vend.

Përfaqësuesit e “Torcidës”, Shefqet Begu dhe Bujar Istrefi, kanë bërë të ditur për KosovaPress se  janë mbledhur një numër i konsiderueshëm i gjërave elementare për popullin e Shqipërisë që pësoi nga fatkeqësia natyrore e tërmetit.

“Kemi organizuar një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga zonat e dëmtuara prej tërmetit. Qytetarët i janë përgjigjur masivisht thirrjes tonë, duke kontribuuar me artikuj ushqimorë, veshmbathje, si dhe gjëra tjera të nevojshme për situata të tilla, por edhe para kesh. Vlera e përgjithshme që kemi arritur të grumbullojmë dje dhe sot kap shumën rreth 30 mijë euro”, ka thënë Istrefi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi tjetër i “Torcidës”, Shefqet Begu-Qeti, u shpreh i kënaqur me numrin e konsiderueshëm të mitrovicasve, të cilët kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin e tyre për t’ju dalë në ndihmë vëllezërve në këto momente tejet të vështira.

Sipas tij, populli i Kosovës po lutet për secilin që është prekur nga kjo tragjedi.

“Ne kemi dërguar dje një pjesë të ndihmave të grumbulluara. Të njëjtën gjë po e bëjmë edhe sot. Mitrovicasit, por edhe i gjithë populli i Kosovës  po luten për shpirtin e viktimave, familjarët e tyre dhe secilin që është prekur nga kjo tragjedi”, theksoi Begu.

Ndryshe, “Torcida” me ndihmat e dhuruara nga shumë qytetarë të Mitrovicës janë nisur sot në ora 15:00 drejt shtetit të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat