Salihu: FFK-në nuk munden me e dëmtu persona që janë katastrofa e vetes

Futboll

Salihu: FFK-në nuk munden me e dëmtu persona që janë katastrofa e vetes

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 16:15
Gazetari ynë në bisedë me Eroll Salihun

Ditëve të fundit, është ngritur pluhur në Federatën e Futbollit të Kosovës nga njerëz të cilët e kontestojnë legjitimitetin e kryetarit Agim Ademi, e për këtë çështje për “Bota sot” ka folur sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu i cili ka thënë se janë individë të cilët nuk ia duan të mirën as futbollit e as Kosovës, ata të cilët në mënyrë të kriminalizuar dhe me shantazhe, duke e përdorur edhe politikën, po tentojnë të shkaktojnë tollovi në federatë. 

“Bota sot”: Kemi dëgjuar e parë këto ditë të flitet për zëra të cilët e kontestojnë legjitimitetin e kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Çka ka të vërtetë në këtë çështje?
Eroll Salihu:
Brenda FFK-së ka dalur një personi i vetëm, ai është Arianit Ahmeti i cili e ka proklamuar vetveten se po kandidon për kryetarë të FFK-së, pa pasur kurrfarë zgjedhje, sepse kryetari është legjitim, i zgjedhur për katër vite. Vendimi ka qenë unanim nga të gjithë delegatët, i mbikëqyrur nga UEFA, FIFA, MKRS-ja, nga Ministria e Administratës Politike dhe nga KOK-u, procesverbali është nënshkruar nga verifikuesit e procesverbalit, nuk ka pasur asnjë kontestim as juridik, as faktik bile as teknik. UEFA ka raportuar se procesi zgjedhorë në këtë federatë ka qenë jashtëzakonisht i rregulluar dhe se kryetari është zgjedhur për mandat katërvjeçarë.

Me këtë rast, kryetari Gianni Infantino i ka uruar kryetarit Ademi mandatin katërvjeçarë, gjithashtu edhe kryetari i UEFA-së e ka uruar kryetarin Ademi për mandat katërvjeçar, KOK-u, Ministritë e të gjithë organet relevante e kanë uruar për mandat katërvjeçar, e tash, dikujt pas dy vite e gjysmë dikujt i paska ra në mend se paska kontest dhe koka thirr gabimisht duke cituar një letër që e paskan shkruar dikush në Ministri, e që mund të jetë false, ose nëse nuk është fals, dikush duhet të japë llogari pasi që nuk mund të bëhet  një gjë e tillë, pastaj të gjithë duhet ta kuptojnë se Ministria nuk mundet me e obligu Federatën me mbajt zgjedhje, është përzierje direkte e shtetit, krejt ajo çka nuk është dashur të ndodhë, ka ndodhur për një ditë në ministri, e aq më tepër kur e citon nenin gabim. 

“Bota sot”: A keni kërkuar llogari, çfarë keni bërë në këtë drejtim?
Eroll Salihu:
Nuk e di, ajo letër të cilës personi në fjalë i referohet nuk i referohet asnjë institucioni, nuk është e nënshkruar nga askush, ju ka drejtuar një pëson rrugës që mundet me e marrë, ata ju kanë përgjigjur një personi, njëfarë Bajram Zeqirit i cili punon në futsall, as nuk është delegat, as nuk është i autorizuar nga dikush, asnjë emër i delegatëve nuk është. Kjo tregon një nivelin më të ulët të një ministrie, se kemi ndërmend me kontaktu me askënd, e murrë vesh e gjithë bota që këtu ka dallavere dhe dikush duhet të marrë përgjegjësi, sepse ne kemi informata se shërbimi ligjorë i departamentit nuk ka dashur ta nënshkruaj, sepse e kanë ditur se nuk duhet t’i përzihen federatës.

“Bota sot”: Kah mund ta drejtojmë gishtin në këtë rast? Pse pikërisht tani kur djemve të kombëtares i duhet përkrahja më e madhe, po tentohet të shkaktohen probleme?
Eroll Salihu:
Ju i përmendët vetë grupe brenda FFK-së, këta të gjithë janë njerëz të cilët nuk kanë lidhje me futboll, prej këtij erifit tonë, prej Arianitit që është kurrfarë elementi, kurrfarë faktori në futboll, kush nuk ka dëgju për të, e me u ngritë e me marrë guxim me punu kundër atyre me të cilët ka punu, ai ka marrë pagë në këtë institucion, e me u ngritë me i rrëzu të gjithë eprorët e vetë, kjo është e palogjikshme. Tjetra, është ajo që e thatë ju, në kohën kur Kosova është në kulminacionin e sajë, në kohën kur më së shumti po i jep kënaqësi këtij kombi, e ka përmirësu imazhin e shtetit e popullit gjithandej, çohet një grup që s’ka lidhje me futboll, bile e kanë involvuar edhe politikën, çka është tmerr. 

“Bota sot”: A keni njohuri cilat janë lidhjet e këtij djali me politikën? A ka vërtetë lidhje me politikën, apo vlenë ai tregimi i popullit, për atë që e kishte lutur mbretin me e shajtë në vesh, e që populli me mëndu që i ka raportet e mira me mbretin?

Eroll Salihu: Pikërisht, këta janë të shërbyer me rrena, me dallavere, kinse kanë nënshkrime, kinse i kanë 42 nënshkrime, besa janë edhe duke i shantazhuar njerëzit çka kemi informata nga terreni, kemi njerëz të cilët nuk po guxojnë me dal, kjo çka po ndodhë është terror, delegatëve të cilët kanë të drejtë vote janë duke iu shkuar duke tentuar të gjejnë njerëz me ndikim nga familjet, nga politika e çka i tejkalon të gjitha suazat e lejuara për çka prokuroria do të duhej të ndërhynte.

Unë mendoj se kjo po ndodhë edhe për shkak se tash qeveria po ndërron dhe e dinë se më nuk do ta kenë të lehtë, kur të bëhet shteti funksional, mjafton që prokuroria ta ketë vullnetin që kësaj pune t’i dilet deri në fund.

“Bota sot”:  Pasur parasysh veprimtarinë e Agim Ademit në futboll që prej vitit 1992, pastaj bashkëpunimin e ngushtë që e ka pasur me legjendën Fadil Vokrri, a mund të na thoni, sot a e ka përkrahjen e plotë nga ju dhe kolegët tuaj në FFK që të vazhdojë me sukses ta udhëheq këtë institucion?
Eroll Salihu:
Sigurisht se e ka të gjithë përkrahjen tonë, për ndryshe nuk do të vinte deri këtu puna. Megjithatë, unë do ta përsëris se këtu kemi të bëjmë me militant të cilët me shantazhe e kërcënime tentojnë të arrijnë qëllimet e tyre, kemi fakte rreth kësaj por ne nuk jemi prokuroria e as hetuesia. Unë në këtë proces, por edhe më parë jam i përfshirë në rrjedhën e futbollit të Kosovës qysh prej pavarësimit në vitin 1991 dhe them se ne jemi duke e mbrojtur institucionin, jo individin, sepse kjo do të përbënte një precedent të rrezikshëm nëse njerëzit fillojnë të mbledhin nënshkrime kur të dojnë me e ndërru kryetarin.

Po e them, vetëm Kuvendi i FFK-së ka të drejtë ta shkarkojë apo ta ngarkoj me detyra  kryetarin e FFK-së. Këta po gënjejnë, nëse do ti kishin 41 vota nuk kishin fol, por sot do ta kishin ndrru kryetarin.

“Bota sot”: Sa ka mundësi që këto telashe në FFK të ndikojnë në ngecjen e kombëtares së Kosovës, sidomos në këtë kohë që është në kulmin e saj?
Eroll Salihu:
Me siguri se kjo situatë ka një ndikim negativ, kjo tregon se këta njerëz janë të pa ndërgjegjshëm, të kish qenë në një kohë tjetër, ose të kishin qenë njerëz tjerë, por këta janë katastrofë, thjeshtë këta janë katastrofë, edhe në kohën e Fadil Vokrrit ka pasur raste kur është tentu të bëhen tollovia, por kanë dështuar njëjtë sikur edhe kësaj here.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat