Derbi i Manchesterit, derbin numër 179 - Bota Sot
Derbi i Manchesterit, derbin numër 179

Futboll

Derbi i Manchesterit, derbin numër 179

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 10:45
Derbi i Manchesterit, derbin numër 179

City dhe United do të përballen në duelin më të fortë të Javës së 16-të në Premier League, për derbin numër 179 të qytetit. Një histori e gjatë 128-vjeçare që ka ndryshuar në dekada për dy ndër klubet më të rëndësishme në Ishull, që ndahen nga vetëm 6.4 km.

Gjithsej janë plot 26 tituj në elitën e futbollit anglez të klubeve, United 20 dhe City 6, sidoqoftë, kur bëhet fjalë për sfidat ndërmjet tyre harrohet gjithçka dhe dy ekipet bëhen gati për të zbukuruar këtë derbi, duke i shtuar nga një faqe të re rivalitetit historik mes dy klubeve.

Prej vitesh gjërat kanë ndryshuar dhe tani peshorja anon qartësisht nga “Citizens”, që të furnizuar nga milionat pa fund të Grupit Abu Dhabi kanë dominuar sezonet e fundit në Premiership. Të frymëzuar nga Pep Guardiola “Sky Blues” kanë fituar dy edicionet e fundit të kampionatit anglez, ndërsa në krahun tjetër “Djajtë e Kuq” kanë nisur një agjërim të gjatë, duke filluar nga 2013, kur ishte edhe viti i fundit i mbretërimit të trajnerit legjendar të “Red Devils” Alex Ferguson.

Gjatë kësaj periudhe City ka fituar 3 nga 6 edicionet e fundit të Premier League-s, për më tepër në sezonin e kaluar kampionët në fuqi e mbyllën aventurën e tyre me plot 32 pikë më tepër e për rrjedhojë futbollistët e United nuk shkuan dot përtej vendit të gjashtë. Natyrisht “Djajtë e Duq” kryesojnë bilancin e përgjithshëm me 73 fitore, kundrejt 53 që kanë regjistruar në total “Sky Blues”, ndërsa 52 takime kanë përfunduar në barazim.

Ndonëse për vetëm një pikë më shumë se Liverpooli, sezonin e kaluar City i Guardiolës u kurorëzua duke fituar plot 18 nga 19 ndeshjet e fazës së dytë, megjithatë ky është viti i katërt për trajnerin katalan në drejtimin e “Citizens” dhe në njëfarë mënyre duket sikur futbolli i 48-vjeçarit nga Santpedori është ekspozuar, pasi në Ishull po shtohet gjithmonë e më tepër numri i skuadrave që po ia dalin mbanë për të frenuar kampionët në fuqi.

Gjysmë viti më parë City dukej dominues dhe i pathyeshëm, ndërsa tani ekipi i Guardiolës numëron 2 barazime, me Tottenhamin e Newcastle-in, si dhe 3 humbje gjithsej, ku duke lënë mënjanë Liverpoolin që është edhe favoriti kryesor për të fituar titullin, bëjnë përshtypje gjithashtu edhe humbjet ndaj kundërshtarëve si Norwich dhe Wolverhampton. Pra gjithë sezonin e kaluar “Citizens” lëshuan vetëm 16 pikë në total, ndërsa këtë radhë skuadra ka humbur plot 13 pikë në vetëm 15 javë kampionat.

Aktualisht, diferenca e ekipit të Guardiolës me “të kuqtë” e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp është plot 11 pikë, madje kampionët në fuqi tashmë kanë përpara vetes edhe “Dhelprat” e Leicester City-t. Në mënyrë të kuptueshme me gjithë ato shpenzime të çmendura që janë bërë drejtuesve nuk iu bëjnë më përshtypje sukseset në Ishull, prandaj strategut katalan i kërkohet lavdia në Evropë dhe si për ironi të fatit “bookmakers”-at i kuotojnë “Sky Blues” për të tretin sezon resht si favoritë, madje me diferencë, për të triumfuar në Champions, kompeticion ku në fakt për hir të së vërtetës Guardiola ka dështuar për të kaluar qoftë edhe fazën çerekfinale.

Sikur të mos mjaftonte ngjeshja e kalendarit, gjatë këtij muaji përveçse me United City do të përballet gjithashtu edhe me kundërshtarë si Arsenal e Leicester, por edhe me “ujqërit” e Wolverhamptonit, ndaj të cilëve “Citizens” kanë fituar vetëm 1 nga 5 përballjet e fundit.

Përpara do të vazhdojë të mungojë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, Sergia Aguero, që do të zëvendësohet në qendër nga Gabriel Jesus, ndërsa në krahun e djathtë duelojnë Riyad Mahrez dhe Bernardo Silva.

United në krahun tjetër vijon me luhatje të tmerrshme dhe pas triumfit me Tottenhamin, për momentin, duket se trajneri Ole Gunnar Solskajer ka fituar edhe pak më tepër kohë, në drejtimin e “Red Devils”. Trajneri norvegjez ka përpara vetes vetëm Manuel Pellegrinin në listën e trajnerëve favoritë për t’u shkarkuar, sidoqoftë është fakt që në këto katër muajt e fundit “Djajtë e Kuq” kanë mundur me radhë kundërshtarë si Chelsea, Leicester apo Tottenham, pa harruar gjithashtu as barazimet me Liverpoolin dhe Arsenalin. Pra në mënyrë të kuptueshme ekipi luan vërtet mirë me skuadrat e forta, pasi mbyllet prapa, por në krahun tjetër Solskjaer nuk ka fare zgjidhje për të mposhtur kundërshtarë të dobët, që tërhiqen me forca të shumta në gjysmëfushën e tyre.

Përpara sfidës me “Gjelat e Londrës” shtypi britanik la të kuptohej se 46-vjeçarit nordik i ishte dhënë kohë vetëm për ndeshjet me Tottenhamin dhe City-n, gjithsesi në duelin me “Spurs” në mesjavë United tregoi goxha karakter. Të prekur në sedër lojtarët në fushë reaguan pozitivisht si për t’i treguar ish-trajnerit të tyre Jose Mourinho vlerat e tyre e jo rastësisht futbollisti më i mirë i takimit ishte pikërisht Marcus Rashford, që ishte edhe njeriu që zgjidhi ndeshjen në “Old Trafford”.

Kthimi i mesfushorit skocez, Scott McTominay, influencoi gjithashtu ndjeshëm në takimin me “Spurs”, sidoqoftë në derbi do të vazhdojë të mungojë Paul Pogba, ndërsa Martial është riaftësuar, por pritet ta fillojë ndeshjen nga stoli.

City ka fituar pa shumë vështirësi dy përballjet e fundit me United dhe kampionët në fuqi janë dukshëm favoritë për të siguruar fitoren e radhës. Derbi do të luhet në orën 18:30 në stadiumin “Etihad” dhe do të drejtohet pikërisht nga 41-vjeçari nga Manchesteri Anthony Taylor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat