Presidenti i FFK-së, Agim Ademi priti ish-kryetarët e FFK-së dhe ish-përzgjedhësit e Kosovës

Futboll

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi priti ish-kryetarët e FFK-së dhe ish-përzgjedhësit e Kosovës

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 15:15
Pamje nga takimi

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, sot, kanë organizuar një pritje për fundvit për ish-kryetarët e FFK-sëdhe ish-përzgjedhësit e Kombëtares së Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Të pranishëm ishin ish-kryetarët Agim Bytyçi e Sabri Hashani, ish-përzgjedhësit, Ajet Shosholli, Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova e Albert Bunjaki, si dhe ndihmësi i përzgjedhësit aktual, Muharrem Sahiti.

Ky takim u organizua në shenjë respekti për sakrificën dhe punën në kontiunitet të këtyre personaliteteve për të arritur deri në ditët e sotme ku tashmë Kombëtarja e Kosovës ka arritur të luajë një rol të rëndësishëm në futbollin evropian dhe është vetëm 180 minuta larg suksesit historik – kualifikimit në Kampiontatin Evropian, njofton FFK.

Presidenti Ademi fillimisht shprehu falënderimet e tij dhe të KE të FFK-së për punën e secilit prej protagonistëve të periudhave të ndryshme, duke filluar nga kryetari i parë Agim Bytyçi, për të vazhduar me Rexhep Abdullahun, Sabri Hashanin, Fadil Vokrrin në krye të këtij institucioni, por edhe nga Ajet Shosholli si përzgjedhës i parë i krijimit të ekipit kombëtar e për të kaluar radhazi te Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova e Albert Bunjaki.

“Kombëtarja e sotme po na bën krenar të gjithë neve dhe ka arritur të sjellë futbollin tonë në pikën më të lartë prej ekzistimit të tij. Falë rezultateve të Dardanëve dhe punës sonë kemi arritur që futbollin ta kthejmë në sport familjar, ku njerëzit i shtyjnë edhe obligimet e tyre kur luan Kombëtarja, e cila po i jep kënaqësi mbarë kombit. Unë ndjehem i nderuar që jam në krye të këtij institucioni, por e them me sinqeritet të plotë se këto suksese nuk janë rezultat vetëm i punës sonë të tanishme, por thjeshtë meritat janë të të gjithë atyre që në periudha të ndryshme kohore kanë dhënë kontributin e tyre në FFK dhe në futbollin e Kosovës. Pra, sikur të mos ishte koha e mbijetesës, të cilën unë e quaj të artë për neve dhe që është unike, sepse nuk ka ndodhur askund tjetër në botë që për aq shumë vite në kushte të okupimit të bëhet një organizim i tillë, ne do ta kishim shumë më të vështirë të arrinim ku jemi sot”, ka thënë Ademi.

Presidenti Ademi theksoi se shumë shpejt FFK do të botojë një monografi për të përshkruar tërë periudhën dhe kontribuesit e futbollit të Kosovës deri në ditët e sotme, dhe për t’i falënderuar në veçanti ata që i dhuruan livadhet dhe arat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat