Pse Sarri?

Futboll

Pse Sarri?

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 19:16
Ilustrim

Një ditë pas fitores kundër Leverkusenit, por edhe në prag të shortit të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, në program të hënën në mesditë, ku goglat mund ta vendosin përballë të kaluarës së tij, Ronaldo e tha troç: 

“Dëfrehem pa fund duke luajtur me Dibalën dhe Higuainin njëkohësisht”. Një mesazh i qartë dhe direkt për Mauricio Sarrin, që vazhdon të marrë kohë ose, më saktë, duket sikur nuk po gjen kurajën e duhur që të vendosë t’i besojë titullaritetin e padiskutueshëm trios së ëndrrave, Dibala-Higuain-Ronaldo, e cila është etiketuar nga media di “Dygualdo”.

Por nëse trajneri i Juves nënvizon se mekanizmat e saj janë ende për t’u korrigjuar dhe se ky tredhëmbësh mund të përdoret dhe do të kishte efikasitet të plotë në minutat finale, kur rivali nis të bjerë fizikisht, shifrat thonë se sa më shumë që “Dygualdo” të luajë së bashku, aq më i frikshëm dhe efikas është Juventusi.

Konfirmimin më të qartë e dha transferta në “BayArena”, sepse në vetëm 24 minuta lojë që Dibala, Higuain dhe Ronaldo luajtën së bashku, bardhezinjtë jo vetëm fituan, por shënuan 2 gola, të cilët i lejuan ta mbyllin si të pamposhtur edhe grupin në Champions.

Debutimi pa gol, pastaj… 

Për herë të parë gjatë këtij sezoni, kjo trio u pa në “San Siro”. Në duelin kundër Interit, ku bardhezinjtë fituan 2-1 dhe “Dygualdo” akumuloi vetëm 9 minuta lojë, ndaj në një kohë kaq të shkurtër ishte e vështirë që të pritej diçka madhështore.

Por, gjithashtu, herën e parë që gjërat u panë realisht keq për “Zonjën e Vjetër”, tredhëmbëshi që trajneri Sarri s’ka kurajë ta hedhë nga minuta e parë përmbysi fatin e një ndeshjeje që dukej e mallkuar. 22 dhjetor, “Allianz Stadium”, Juventus-Lokomotiv 0-1 pas pjesë së parë. Ronaldo kishte përkrah Dibalën, por bardhezinjtë ndryshojnë totalisht hap pasi vetëm 3 minuta nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës, Sarri hedh në fushë Higuainin dhe muzika është krejt tjetër.

Të tre së bashku nisin të pushtojnë zonën e rusëve derisa brenda dy minutave, 77 dhe 79, Dibala gjen dy gola spektakolarë, përpara se Sarri ta thërriste në pankinë në të 81-ën, për ta nderuar siç duhet argjentinasin nga tifozët e tij.

Rezultati final: 34 minuta në fushë të tre, 2 gola, përmbysje e disavantazhit dhe tri pikë që blindojnë kualifikimin për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Kalon gati një muaj e gjysmë dhe ndeshja tjetër e mbrapshtë për Juven është ajo me Sasuolon, sërish në Torino. Në këtë rast, titullarët ishin CR7 dhe “Pipita”, por vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, “Zonja e Vjetër” e sheh veten në disavantazh 2-1, pas një gafe trashanike të Bufonit.

Skuadra çalon dhe Sarri sërish në momentin e depresionit nxjerr kurajën në pah duke hedhur në fushë edhe Dibalën në minutën e 53-të: Juventusi menjëherë ndryshon ritëm, bëhet më i paparashikueshëm në sulm dhe pas vetëm pak minutash, numri 10 bardhezi fiton penalltinë që Ronaldo do ta transformojë në golin që shmang humbjen. Sërish gol, ndonëse në këtë rast fitorja sfumoi, ndërsa Higuain i la vendin Ramsejt në të 79-ën. Rezultati i “Dygualdo”-s: 26 minuta lojë së bashku, 1 gol. Ndërkohë, në Leverkusen tashmë e dinë të gjithë sesi shkoi…

Shkurtimisht, në vetëm 93 minuta të akumuluara, që e pakthyer vlen sa një ndeshje në vetvete, trioja Dibala-Higuain-Ronaldo shënoi 5 gola, pikërisht ato fitore të gjera, bindëse dhe të padiskutueshme që të gjithë prisnin pas afrimit të Mauricio Sarrit në Torino, emri i të cilit është shndërruar në pseudonim të dëfrimit dhe spektaklit, të paktën duke parë eksperiencën e tij te Napoli, por, pse jo, edhe te Çelsi, ku fitoi Ligën e Europës që në sezonin e parë dhe të vetëm te anglezët. Dhe fatkeqësisht, ai që po e mban peng këtë sulm bombastik të japë atë që të gjithë tifozët kërkojnë, është vetëm ai Sarri… Prandaj zoti Mauricio, nis të rivlerësosh idetë e tua në kokë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat