Shqiptari stërvitet me Messin, trajneri e lë tërë natën pa gjumë

Futboll

Shqiptari stërvitet me Messin, trajneri e lë tërë natën pa gjumë

Më: 30 janar 2020 Në ora: 12:22
Shqiptari stërvitet me Messin, trajneri e lë tërë natën pa gjumë

Rei Manaj po jeton një ëndërr. Shumë pak futbollistë në botë e kanë fatin që të stërviten përkrah gjeniut Lionel Messi dhe shqiptari këtë ëndërr e bëri realitet ditën e djeshme.

Sot shpreson që të zbresë në fushën e lojës, por dje punoi me yllin botëror në prag të ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Leganesit.

I transferuar pak kohë më parë në ekipin Barcelona B për 700 mijë euro dhe 2 milionë të tjera bonuse për Albaseten (në fundjavën e kaluar bëri debutimin me katalanasit), tani mund të shndërrohet në një pikë të rëndësishme për sulmin e skuadrës së Kike Setienit. Dikush ndoshta e paragjykoi lëvizjen e tij për të zbritur nga Kategoria e Dytë në të Tretën, por ja ku është shansi i jetës për t’u stërvitur me kampionët dhe, pse jo, për të provuar të luajë me ta.

Me Luis Suarezin të dëmtuar, Osman Dembelenë ende në formë jo të mirë, me Karles Perezin te Roma dhe Abel Ruizin te Braga, lista e sulmuesve të gatshëm për skuadrën e Barcelonës është rrudhur shumë. Kike Setien ka vetëm 3 sulmues në ekipin e parë: Lionel Mesin, Antuan Grizmanin dhe Ansu Fatin, 17-vjeçarin që në këtë sezon është bërë pjesë e skuadrës së parë. Kjo situatë shumë e çuditshme dhe surprizuese e ka detyruar trajnerin që të marrë për këtë ndeshje sulmuesin që sapo u aktivizua me ekipin B, dhe më parë kishte luajtur me një ekip të madh si Interi, raporton panoramasport.

Emri i tij është Rei Manaj. 22-vjeçari shqiptar, në fakt, i ka të gjithë numrat dhe meritën për të qenë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës për ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Leganesit, e cila do të luhet sot në orën 19:00 në “Camp Nou”. Rei sigurisht që do të ketë kaluar një natë pa gjumë, duke ëndërruar që do të shkelë në impiantin gjigant të Europës. Aty është bukur që të luash si kundërshtar, imagjino si lojtar i Barcelonës dhe në epokën e njërit që konsiderohet si më i miri i të gjitha kohërave.

Megjithatë, prania e tij është surprizë në këto përgatitje, ku gjithashtu kishte shumë lojtarë të tjerë nga skuadra e të rinjve. Hapi i parë me fanellën e Barcelonës u hodh, tani pritet i dyti… Grumbullimi zyrtar dhe pastaj aktivizimi. Në momentin më të bukur për shqiptarin, trajneri Kike Setien ndryshoi planet dhe vendosi që listën e lojtarëve të grumbulluar të mos e publikonte mbrëmjen e djeshme.

Futbollistët do të bëjnë një tjetër seancë stërvitore paradite dhe ajo do të shërbejë për të shuar të gjitha dilemat që mund të ketë trajneri për lojtarët që do të grumbullojë. Pritja e Manajt ka qenë e gjatë dhe nata pa gjumë… Shpresojmë që t’ia ketë vlejtur dhe të marrë ftesën për të luajtur mbrëmjen sotme kundër Leganesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat