Për dy ditë rresht në fushën me bar sintetik “Eurosport” në Mitrovicë është zhvilluar turneu tradicional në futboll të sallës në kuadër të “Javës së Minatorëve”, ku sivjet morën pjesë 9 skuadra nga njësi edhe reparte të ndryshme të kombinatit Metalurgjik “Trepça”.
Turneu është pjesë e aktiviteteve që zhvillohen në shënimin e përvjetorit të 31-të Grevës së Minatorëve të cilët në mbrojtje të subjektivitetit dhe Kushtetutës ishin ngujuar në grevë në horizonte nëntokësore, goditje që ishte fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë.
Turneu është organizuar nga komisioni i Kombinatit Trepça në përbërje Kajtaz Xhemajli dhe Smajl Haxha si dhe Shoqata Rajonale e Klubeve të Futsallit Futsal-Mitrovica, ndërsa ndeshjet janë zhvilluar në sistemin secila me secilën dhe janë gjykuar nga dyshja e referve Mentor Baliu dhe Fatmir Abrashi.
Pas serisë së zhvilluar nga dy ndeshje për secilën skuadër katër skuadrat më të mirë të renditura në grupe, për gjysmëfinale u klasifikuan Flotacioni, Elektromakineria, Albaniku dhe Artana.
Shorti ka vënë përballë njëra tjetrës skuadrat Flotacioni dhe Elektromakineria , ku në kohën e rregullt ndeshja përfundoi në barazim, ndërsa Flotacioni me penallti fitoi 3:2.Ndërkohë në gjysmëfinalen tjetër Albaniku ishte dukshëm skuadër më e fortë se Artana, të cilën e mundi me rezultatin 4:0.
Ndeshja finale mes Albanikut dhe Flotacionit ishte shumë ndeshje e fortë edhe rivalizuese, por fitore shënuan Albaniku me rezultat 2:0 dhe merituan titullin e skuadrës fituese të turneut.
Për skuadrën fituese organizatorët kanë dhuruar Kupën kalimtare dhe nga një palë tuta sportive së bashku me medalje ari, ndërsa skuadra që zuri vendin e dytë meritoi medalje argjendi dhe fanella, portieri më i mirë u shpall portieri i Artanës Zahir Arifi, ndërsa golashënuesi më i mirë me 5 gola u shpall Arben Halili.