Qeli: Me tifozët ‘Stuhia e Kuqe’ jemi të pamposhtur në shtëpinë tonë

Futboll

Qeli: Me tifozët ‘Stuhia e Kuqe’ jemi të pamposhtur në shtëpinë tonë

Nga: Kemajl Goca Më: 5 mars 2020 Në ora: 18:16
Kujtim Qeli

Nuk mbahet mend që aq e ashpër është gara për dy vendet e para në Ligën e Parë të Kosovës. Dhjetë skuadra në luftë për dy vendet e para, që i shpie në elitën e futbollit.

Fakti më interesant është skuadra e Arbërisë së Dobrajës së Madhe nga komuna e Lipjanit, e cila renditet në vend të dytë me 33 pikë pas 19 javësh, që nuk është më larg se 6 pikë nga pozita e dhjetë, KEK-u. Arbëria është befasia më e këndshme e këtij edicioni, si për nga organizimi si për nga rezultatet e shkëlqyeshme.

Arbëria është ndër kandidatët më seriozë për dy vendet e para. Mesfushori defensivë i Arbërisë, Kujtim Qeli, shprehet se me punë, angazhim e lojëra cilësore do të arrijnë qëllimin.

Image

22-vjeçari, prej futbollistëve më të mirë në këtë ligë, zotohet se do të jap tërë energjinë për të arritur suksesin, që e presin me padurim tifozët “Stuhia e Kuqe”. Besa prinë në renditje me 37 pikë, pasojnë Arbëria me 33 pikë, Malisheva 30, Istogu 29, Onix 29, 2 Korriku 29, Dardana 29, Liria 28, Drenasi 27, KEK-u me 27 pikë etj.

“Bota sot”: Arbëria është në luftë për vend të parë dhe të dytë, si e sheh garën deri në fund?

Kujtim Qeli: Lufta deri në fund pritet të jetë e ashpër, pasi që shumë skuadra po luftojnë për një vend që siguron Superligën.  Mirëpo duke parë skuadrën dhe organizimin nga kryesia pres që të jemi në luftë për vendin e parë.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me kushtet në klub?

Kujtim Qeli: Kryesia po punon jashtëzakonisht shumë që të mos i mungoj asgjë skuadrës në këtë fazë finale të kampionatit. Kushtet janë shumë të mira dhe jam i kënaqur me kushtet që ofron kryesia.

“Bota sot”: Këto rezultate, pozita e dytë me 33 pikë, a është edhe një motiv shtesë për ekipin tuaj?

Kujtim Qeli: Padyshim që po i marrim ndeshjet një nga një, ndërsa motivi nga e tërë skuadra dhe stafi është shumë i madh po ashtu edhe entuziazmi dhe përkrahja nga tifozët ‘Stuhia e Kuqe’ nuk po mungon.

“Bota sot”: Sfida e radhës është derbi, do të luhet në Lipjan kundër Malishevës, ku i sheh përparësitë e skuadrës tuaj?

Kujtim Qeli: Me skuadrën po punojmë jashtëzakonisht mirë në stërvitje, padyshim që në Arbëri është krijuar mentaliteti fitues dhe në çdo ndeshje hyjmë me vullnetin e plotë për 3 pikë.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë të fortë për dy vendet e para?

Kujtim Qeli: Po ashtu siç potencova edhe më herët shumë skuadra po luftojnë për Superligë, nuk dua të nënvlerësoj asnjë skuadër, pasi që çdo ndeshje për ne do të jetë finale, mirëpo si rival direkt e shoh Besën dhe Istogun.

“Bota sot”: Sipas renditjes në tabelë, 10 skuadra janë në garë për dy vendet e para, a është një presion për Arbërinë e Dobrajës së Madhe?

Kujtim Qeli: Duke i besuar kualitetit dhe përvojës në skuadër nuk shoh presion, mirëpo duhet të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës.

“Bota sot”: Në Pejë pësuat humbje me rezultat 2:0 nga Besa, a merituat një pikë apo vendasit ishin më të mirë?

Kujtim Qeli: Po ishim duke bërë një lojë të mirë deri në momentin kur u prishën ekuilibrat e skuadrës me kartonin e kuq, mirëpo them se merituam një pikë, pasi që edhe vendasit nuk kishin diç më shumë se ne.

“Bota sot”:  Çfarë iu premtoni tifozëve 'Stuhia e Kuqe'?

Kujtim Qeli: Premtojmë angazhim dhe të nxjerrim maksimumin nga skuadra e të realizojmë së bashku objektivat tona, me tifozët tanë jemi të pamposhtur në shtëpinë tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat