Gasperini: Nuk festoj pa mbaruar ndeshja

Futboll

Gasperini: Nuk festoj pa mbaruar ndeshja

Më: 10 mars 2020 Në ora: 17:01
Gasperini: Nuk festoj pa mbaruar ndeshja

“Rezultati i ndeshjes së parë sigurisht që e rrit besimin për t’u kualifikuar. Duhet të shënojmë një gol ndaj Valencias, të qëndrojmë të përqendruar dhe të mbrohemi mirë”.

Kjo është receta që ka trajneri i Atalantës, Xhan Piero Gasperini, në prag të ndeshjes së kthimit në fazën e 1/8-ave në Ligën e Kampioneve. Zikaltrit e kanë fituar ndeshjen e parë 4-1 në “San Siro”. “Duhet të vazhdojmë të luajmë mirë. Ky është aspekti ynë psikologjik, për të cilin kemi punuar prej kohësh.

Skuadra ka qenë e madhe në ndeshjen e parë, por nuk do të festoj derisa të ketë përfunduar edhe e dyta”, ishin fjalët e trajnerit italian për sajtin e UEFA-s. Në marrëveshje me institucionin që garanton zhvillimin e Champions-it, Atalanta dhe Valencia nuk zhvilluan konferencën për shtyp.

Skuadra nga Bergamo mbërriti në qytetin spanjoll sipas të gjitha protokolleve, edhe pse në Spanjë kanë raportuar se kontrollet nuk ishin shumë të rrepta.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, e humbi ndeshjen e parë kundër Valencias për shkak të një dëmtimi që pësoi pak minuta përpara fillimit të sfidës, por këtë herë pritet të jetë titullar.

Atalanta ka shumë probleme në repartin mbrojtës, pasi Toloi nuk është i gatshëm. Gjimshiti do të formojë repartin me Kaldarën dhe Palominon, ndërsa Pasaliç pritet ta nisë ndeshjen nga stoli. Papu Gomez do të luajë pas dyshes Zapata-Iliçiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat