Në Spanjë ka shenja të qarta përmirësimi

Futboll

Në Spanjë ka shenja të qarta përmirësimi

Më: 21 prill 2020 Në ora: 16:26
Në Spanjë ka shenja të qarta përmirësimi

Në Spanjë ka shenja të qarta përmirësimi dhe kuptohet qartë që numri i rasteve të infektuar me koronavirus apo dhe personave që kanë humbur jetën me virusin COVID-19 ka rënë ndjeshëm, e për rrjedhojë drejtuesit e futbollit të këtij vendi po mendojnë gjithmonë e më shumë për rikthimin e sportit më të dashur në rruzull. 

Kështu klubet e Primera Division-it janë informuar për mundësinë e rikthimit në fushë, për të nisur fazën stërvitore, pas një mbledhjeje të mbajtur ndërmjet emisarëve të ligës dhe drejtuesve të qeversisë spanjolle.

Bëhet fjalë për një takim tepër të suksesshëm mes dy palëve, që hap rrugën për një rikthim të mundshëm të skuadrave në fazën stërvitore, por gjithmonë sipas një protokolli të rreptë. Futbolli në vendin iberik u shty për një datë të pacaktuar, për shkak të koronavirusit, me drejtuesit e qeverisë spanjolle që u shtrënguan për të forcuar masat dhe deklaruar vendin në gjendje alarmi, duke planifikuar një rikthim në fushë vetëm pasi ekspertët të konfirmojnë se ekzistojnë kushtet dhe normat e sigurisë për të vazhduar aktivitetet pa pasoja për shëndetin. Drejtuesit e La Ligës, Federatës Spanjolle dhe Këshillit të Lartë Sportiv arritën në përfundimin se ekipet tani mund të fillojnë të mendojnë për rikthimin e tyre në normalitet. Një përfundim i tillë gjithsesi do të varet edhe nga përmirësimi i situatës së koronavirusit në Spanjë si dhe vendimit që do të marrë Ministria e Shëndetësisë, për më tepër e gjitha kjo do të bëhet e mundur nën masa shumë të rrepta që duhen zbatuar me rigorozitet nga drejtuesit dhe gjithë futbollistët e klubeve.

Në takim ishin Presidentja e Këshillit të Lartë Sportiv Irene Lozano, Presidenti i Ligës Javier Tebas si dhe Presidenti I Federatës Spanjolle të Futbollit Luis Rubiales dhe drejtuesit premtuan për të shpërndarë një pjesë të të ardhurave të përfituara nga e drejta televizive për sportet olimpike dhe paralimpike, madje presidentët Tebas dhe Rubiales firmosën një marrëveshje për të krijuar një fond prej 10 milionë euro, me kontributin e vetë anëtarëve të Shoqatës së Futbollistëve, pët të ndihmuar në këtë mënyrë sportistët dhe atletët në nevojë. Një marrëveshje e tillë kërkon respektimin parasëgjithash të testeve që duhet të kryejnë lojtarët dhe trajnerët dy ditë përpara rifillimit të stërvitjes, sidoqoftë përvec këtij kontrolli është planifikuar gjithashtu edhe organizimi I dy testimeve të tjera përpara startit të aktiviteteve kompetitive në këtë sport. Pasi të kuptohet që ekzistojnë masat e sigurisë për t’u stërvitur në grup do të vendoset edhe për fillimin e ndeshjeve 15 ditë më vonë, megjithëse plani fillestar kishte përcaktuar 4 majin si datë të saktë për rikthimin e futbollistëve në grumbullim, për zhvillimin e seancave stërvitore.

Përveç datës 4 maj është vendosur gjithashtu edhe për datën 11 të muajit të ardhshëm, ditë kur pritet që Qeveria Spanjolle të zbusë ndjeshëm masat shtrënguese që në këtë shtet janë vendosur që në muajin mars, data që u përcaktuan pas një mbledhje që zgjati plot 8 orë, sidoqoftë gjithcka pritet të vendoset nga rezultatet që do të dalin në dritë pas testeve që do të kryejnë futbollistët si dhe përmirësimit të situatës së koronavirusit. Sipas të përditshmes Sport lojtarët mund të fillojnë menjëherë stërvitjen, në mënyrë individuale, duke zbatuar natyrisht protokollin e përcaktuar dhe kontrollet që nevojiten. Në fillim të muajit prill Reali i Socidedad-it tentoi të rifillojë fazën stërvitore, me lojtarët që ishin të shtrënguar për t’u veshur që në shtëpi, për t’u stërvitur më pas duke respektuar distancën që ishte përcaktuar që më herët me njëri–tjetrin, por dushin duhej ta kryenin në shtëpinë e tyre, gjithsesi qeveria spanjolle mori masa të menjëhershme për të ndalur gjithcka.

Situata kuptohet qartë që është përmirësuar dhe tani është rikthyer optimizmi se momenti për të rifilluar për klubet spanjolle nuk është larg. Nëse klubet do të startojnë fazën stërvitore më datë 4 maj liga mund të fillojë ndeshjet më datë 6 qershor, ndërsa alternativa tjetër është data 13 qershor, gjithmonë nëse faza stërvitore do të shtyhet me një javë dhe do të nisë më datë 11 maj. Në lidhje me finalen e Kupës së Mbretit, derbit bask Real Sociedad–Athletic Bilbao që do të duhej të ishte luajtur fundjavën e kaluar në Sevilje ka shumë opsione, megjithatë drejtuesit e dy ekipeve dëshirojnë që ta luajnë atë takim me spektatorë më datë 5 gusht, por duke patur parasysh vështirësitë që ofron një zgjidhje e tillë nuk përjashtohet aspak as mundësia që ky duel të shtyhet për t’u zhvilluar në muajt shtator ose tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat