Mënyra si stërvitej ishte një turp - Bota Sot
Mënyra si stërvitej ishte një turp

Futboll

Mënyra si stërvitej ishte një turp

Më: 12 maj 2020 Në ora: 15:15
Mënyra si stërvitej ishte një turp

Mario Baloteli ka qenë në vëmendjen e mediave kohët e fundit dhe kjo për shkak të deklaratave polemizuese nga ana e Kielinit. Mbrojtësi i Juventusit do të shkruante në librin e tij se sulmuesi Italian është një person negativ që nuk e ndihmon aspak ekipin në stërvitje. Reagimi i Balotelit do të vinte menjëherë, ndërsa edhe emra të tjerë të futbollit do t’i dilnin në mbrojtje, duke u shprehur se fjalë të tilla thuhen përballë e jo në libër.

Megjithatë përpos debateve të krijuara, sjellja e “Supermarios“ ka qenë gjithnjë e kritikuar dhe kjo nuk eshtë mbajtur e fshehtë asnjëherë. Një tjetër futbollist që ka folur në lidhje me Balotelin është edhe Riki Lambert, ish-sulmuesi i Liverpulit, i cili humbi vendin e titullarit prej italianit. Lojtari anglez është shprehur se një vendim i tillë e ka tronditur shumë, pasi nuk e besonte se si një futbollist si Baloteli mund t’i zinte vendin në fushë. Ai shton se mënyra se si Mario stërvitej ishte një turp dhe se sulmuesi i Breshias pati një ndikim negativ në ekip atë kohë.

“Brendan Roxhers e solli Mario Balotelin dhe e vuri para meje dhe kjo ma dha në kokë, për të qenë i sinqertë. Nuk mund ta kuptoja. Mënyra e të stërviturit të Balotelit ishte një turp. Jashtë fushe është një djalë i adhurueshëm. Por sjelljet e tij në fushë nuk ishin të mira.

Unë kam njohur lojtarë të tjerë me atë qëndrim, por ata zakonisht kanë qenë në gjendje të ndryshojnë, ndërsa ai jo. Unë nuk mund ta kuptoja se si Roxhers mund ta vinte para meje. Ka ndikuar tek unë drejtpërdrejt, por ajo pati një ndikim negativ edhe në ekip”, ka thënë Lambert.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat