Mjekja e FSHF-së: Ju tregoj dy skenarët për rifillimin

Futboll

Mjekja e FSHF-së: Ju tregoj dy skenarët për rifillimin

Më: 14 maj 2020 Në ora: 13:18
Mjekja e FSHF-së: Ju tregoj dy skenarët për rifillimin

Vendimi për të rifilluar kampionatin më 3 qershor ka lënë të kuptohet se FSHF dhe Ministria e Shëndetësisë janë drejt një dakordësimi të plotë. Një nga pjesëtaret e grupit të punës së institucionit të futbollit, mjekja imazheriste Arjana Sina, ka treguar me detaje se në cilin pikë janë diskutimet mes palëve dhe çfarë do të ndryshojë tashmë në futboll pas pandemisë globale prej Koronavirusit. “Mes dëshirës së madhe për të bërë diçka të mirë ka dhe disa protokolle që duhen respektuar.

FSHF ka paraqitur një program të marrë nga modeli gjerman dhe që është përshtatur për kushtet tona. Lojtarët do të vijnë me makinat e tyre në stërvitje. Zhvillimi i stërvitjes në distanca të pranueshme dhe mospërdorimi i dusheve pas stërvitjes janë disa nga kushtet. Kemi paraqitur një protokoll të detajuar kryesisht në lidhje me ndeshjet, pasi ai është momenti kur në stadium ka një numër më të madh njerëzish prezent.

Në stërvitje, qoftë individuale apo si ekip, protokolli duhet të respektohet. Me stafin teknik të federatës dhe ministrisë pyetjet kryesore ishin si do të bëhen stërvitjet individuale. Ne jemi vazhdimisht në kontakt për pika të caktuara për t’u shtuar e për t’i hequr”, ka thënë fillimisht mjekja imazheriste.

Por çfarë do të ndryshojë në futboll pas rikthimit të ndeshjeve? Në bisedën që Sina ka bërë për “RTSH Sport” dhe “Top Channel”, tregoi disa detaje.

“Përveç pjesës që nuk do të ketë tifozë në stadiume, do të ketë shumë gjëra të tjera që nuk do të jenë si më parë. Për shembull, festimi i golave dhe kalimi i shisheve të ujit nga njëri te tjetri lojtar, do të jenë të kujdesshme. Natyrisht, larja në dushe, transporti i futbollistëve në makinat e tyre apo me 2-3 autobusë, që të jetë largësia sa më e madhe. Megjithatë, nuk mendoj se këto gjëra do të cenojnë nivelin e futbollit. Kemi dy skenarë dhe këto janë detajet. Dilema është nëse do të karantinohet i gjithë ekipi apo futbollisti. Kampionate të ndryshme kanë marrë rrugë të ndryshme e po diskutojmë.

Deri tani gjithçka është e plotësueshme. Ky protokoll është i zbatueshëm nga çdo klub i Superiores dhe jemi vetëm në pritje të etiketimit të saktë të protokollit 1, që është stërvitja individuale, si dhe protokollit 2, që është përgatitja kolektive. Ndërsa protokolli 3 është për ndeshjen. Besoj se do të aprovohet protokolli që kemi dorëzuar. Në këtë moment i rëndësishëm është sensibilizimi i futbollistëve dhe përgjegjshmëria. E para për të mos u sëmurur vetë dhe e dyta për të mos dëmtuar shokët”, deklaroi Sina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat