Njihuni me historinë interesante të familjes Domi në Kosovë - Bota Sot
Njihuni me historinë interesante të familjes Domi në Kosovë

Futboll

Njihuni me historinë interesante të familjes Domi në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 27 maj 2020 Në ora: 13:37
Ibrahim e Faruk Domi

Familja Domi nga Gjakova kanë dhënë dhe po japin shumë për futbollin e Kosovës. Nga kjo familje kanë dalë emra të mëdhenj të sportit, sidomos të futbollit, emër i madh është i ndjeri Faton Domi, që ka luajtur në KF Vëllaznimi nga Gjakova, në KF Prishtina e pastaj ishte rikthyer në Vëllaznim në vjeshtën e vitit 1987 kur me 22 mars e humbi jetën së bashku me Favzi Ramën në një ndeshje komunikacioni.

Faton Domi së paku katër vite ka luajtur për Prishtinën në Ligën e Parë federative të ish Jugosllavisë.

Ai ka qenë prej mbrojtësve më të mirë, që padyshim duhet veçuar edhe disa ndeshje kur ishte standarde ndaj skuadrave të mëdha, si për shembull në fitoren me 3:2 ndaj Dinamo Zagrebit në vitin 1983, pastaj në fitoren 1:0 kundër Hajdukut në vitin 1985,  po këtë vit (me dhjetor)i në fitore 2:1 kundër Cërvena Zvezdës së Beogradit etj.  Faton, Faruk, Ibrahim, Mustafa Domi, këta janë futbollistët që kontribuan shumë për futbollin e Republikës së Kosovës. 

Image

Faton Domi, gjatë një ndeshje në ligën e parë ish jugosllave

Ibrahim Domi luajti në KF Vëllaznimi, KF Liria dhe KF Prishtina. Në vitin 1985 u shpall golashënuesi më i mirë i ligës së Kosovës me 27 gola në fanellën e KF Vëllaznimit, më 1986 prapë u shpall golashënuesi më i mirë i Ligës së Kosovës kësaj radhe me Lirinë e Prizrenit, ku shënoi 25 gola.

Ai po ashtu shënoi golin e parë në historinë e kombëtares së Kosovës kundër KF Shkëndisë në Tetovë.
Ai punoi si trajner në ekipin e Vëllaznimit, Dukagjinit, Gjakovës, Rahovecit.

Image

Faton Domi

Po ashtu punoi si trajner në Libi në vitet 2001 dhe 2006, e tani punon si trajner në Shkollën e Futbollit "Faton Domi" së bashku me vëllaun e tij Mustafa Domin, ky i fundit ka qenë edhe gjyqtar i njohur në vendin tonë.

Faruk Domi luajti në KF Vëllaznimi, KF Trepça dhe KF Prishtina. Faruku ka qenë njëri ndër mesfushorët më të mirë të Kosovës dhe më gjerë. Ka qenë lojtar i gjeneratës së artë të KF Prishtinës. Atëbotë përveç Kosovës ai luajti edhe në reprezentacionin Olimpik të ish-Jugosllavisë.

Sa ishte anëtar i Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë me ekipin e Prishtinës ai ka pasur oferta nga shumë klube të Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë, oferta më e mirë ka qenë nga Partizani i Beogradit ku luajti edhe i ndjeri Fadil Vokrri.

Një kohë ka qenë trajner i KF Vëllaznimit dhe ka qenë drejtor në sallën Sportive në Gjakovë.  Fakti tjetër, kur Prishtina u ngritë në ligën e parë ish jugosllave, Faton e Faruk Domi së bashku kontribuan në suksesin e saj. Nuk duhet harruar edhe ndeshjen e famshme të asaj kohe në ligën e dytë të Lindjes, kur u hoq ajo bora e madhe nga shikuesit dhe Prishtina e mposhti me 3:0 Teteksin e Tetovës pikërisht me 27 mars të vitit 1982.

Image

Mustafa Domi në mes si gjyqtar i rangut më të lartë

Në këtë ndeshje Fatoni dhe Faruku luajtën standardë, në kohën kur kishin trajner të famshmin Bella Pallfi.  Me një fjalë, familja Domi, familje futbolli dhe të sportit në Kosovë. Emra që dhanë shumë, jo vetëm Fatoni, Faruku, Ibrahimi, Mustafa por ka edhe shumë emra tjerë në familjen Domi. Gjakova identifikohet me emrat e mëdhenj të familjes sportive Domi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat