Egbo: Derbi duhet të luhet edhe nëse Partizani zbret në fushë me të rinjtë - Bota Sot
Egbo: Derbi duhet të luhet edhe nëse Partizani zbret në fushë me të rinjtë

Futboll

Egbo: Derbi duhet të luhet edhe nëse Partizani zbret në fushë me të rinjtë

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 19:08
Egbo: Derbi duhet të luhet edhe nëse Partizani zbret në fushë me të rinjtë

Emanuel Egbo flet pa doreza. Në konferencën për shtyp 1 ditë përpara derbit të kryeqytetit ndaj Partizanit që do të luhet të premten në orën 20:45 në Air Albania, trajneri nigerian i bardhebluve foli për situatën që paraqitet përpara kësaj sfide ku dy lojtarë të Partizanit, Boldor dhe Ferhati kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Egbo nuk është dakort që ndeshja të shtyhet nëse të tjerë futbollistë të Partizanit rezultojnë pozitiv por të zbatohet rregullorja dhe nëse do të jetë e nevojshme të kuqtë të zbresin në fushë me skuadrën B ose lojtarët e akademisë. Trajneri i Tiranës theksoi se bardheblutë e kanë përgatitur në mënyrën më të mirë këtë derbi të fundit për këtë sezon ndërsa nuk zgjodhi mes fitores ndaj Partizanit dhe titullit. Ai nuk dha një mendim për mos paraqitjen e Tiranës në komisionin e Etikës këtë të enjte.

“E kemi përgatitur si ndeshjen e radhës. E dimë që është derbi i fundit i këtij sezoni. Mendoj që jemi përgatitur siç duhet. Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me kismet të Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana për të shmangur një humbje të tretë?

Ne do futemi në fushë dhe do të fokusohemi te ndeshjet që kemi fituar. T’ia bëjmë yzmetin dhe në fund Zoti do e shpërblejë punën.

Më mirë derbi apo titulli?

Nuk jam tifoz, ne gjithmonë fokusohemi te objektivi. Çdo klub ka objektivin e vet. Do vazhdojmë me objektivin që na ka vënë klubi në fillim të sezonit.

Si është situata në klub duke marrë parasysh që sot është zhvilluar mbledhja e Komisionit të Etikës. Duhet të ishte klubi i Tiranës prezent sot siç bëri Bylis?

Ka persona të tjerë që mund ta japin këtë përgjigje. Unë jam trajneri, dhe merrem me atë që ndodh brenda fushës. Ka drejtor, president, menaxher, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata. Nuk e di fare çfarë kishte Komisioni i Etikës sot. Ne fokusohemi te fusha, atje kemi punë. Aty vazhdojmë punën tonë.

I shpërqendron lojtarët kjo situatë?

Nuk besoj. Ajo ndeshje ka mbaruar. Ne si staf dhe lojtarë kemi punë vetëm brenda fushës. Nuk merrem me gjërat e tjera.

Çfarë ndodhi me Kukësin?

Është ndeshje që ka mbaruar. Kemi ndeshje nesër me Partizanin. Nuk dua ta kujtoj fare çfarë ka ndodhur me Kukësin. E kemi analizuar brenda skuadrës. E dimë çfarë ka ndodhur, do të tentojmë ta rikuperojmë në ndeshjen nesër atë humbje.

Dy lojtarët pozitivë me Koronavirus te Partizani, i trembeni një infektimi të mundshëm?

Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë.

Për ju personalisht si trajner, kjo ndeshje ka vetëm vlerën e 3 pikëve, apo ka vlerë pak më të madhe?

Vetëm 3 pikë në nevojiten. E thashë dhe në fillim, ne fokusohemi te objektivi. Unë nuk kam sfidë personale me askënd, jam thjeshtë punëtor i klubit. Jam i përqendruar vetëm te klubi, nuk kam asgjë nga ana personale.

Ku ndryshon sfida e nesërme nga derbi i fituar 5-1?

Është derbi i fundit, është si ndeshje e radhës. E rëndësishme është të futemi në fushë dhe të marrim atë që na takon. Nuk e kemi mendjen te rezultati. Mjafton të marrim atë rezultat që do të na nevojitet për objektivin që kemi?

Barazimi do të ishte i kënaqshëm?

Ndeshja i ka të treja rezultatet, shpresojmë të marrim atë që është më i miri për ne.

Do të kishit qenë më të qetë në qoftë se do e kishin siguruar më përpara matematikisht titullin kampion?

Unë e kam thënë që do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund do të bëjmë llogaritë. Të presim deri në momentin e fundit.

Duke parë kalendarin a është derbi ndeshja ku mund të sigurohet titulli kampion?

Nuk mund të them. E rëndësishme është të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Në qoftë se japin maksimumin, unë mendoj që do të marrim rezultatin që na takon. Rezultati vjen duke dhënë 100 %.

Me qenë se është kjo situata e Koronavirusit te Partizanit, po bëjmë një analogji me kampionatin rus, Soçi vendosi të mos e pranonte kërkesën e Rostovit për t’u shtyrë ndeshja, pasi shumë lojtarë të Rosovit rezultuan pozitivë me Koronavirus, dhe kësisoj ata u detyruan që të shkonin të luanin me ekipin e të rinjve. Nëse përsëritet një situatë analoge, Egboja do të dëshironte të luante me Partizanin e vërtetë?

Ajo nuk është puna ime. Rregulloja e thotë qartë që nuk e ndalon zhvillimin e ndeshjes. Ndeshja vazhdon. Lojtarët e infektuar izolohen. Çdo lojtar tjetër qofshin ata edhe të akademisë mund të aktivizohen pa problem, janë lojtarë të klubit qoftë të Tiranës apo Partizanit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat