Optimist

Futboll

Optimist

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 13:55
Fred

Mesfushori i Manchester Unitedit, Fred, insiston se Djajtë e Kuq do të jenë më të fuqishëm në aspektin mendore pas këtij sezoni dhe se do të synojnë të fitojmë sa më shumë trofe gjatë sezonit të ardhshëm.

Manchester Unitedi nuk ka qenë as afër titullit të Premierligës që nga sezoni i fundit i Sir Alex Fergusonit në pozitën e trajnerit në Old Trafford, ku trofeu i kampionit të Anglisë u ngrit për herë të fundit në vitin 2013.

Djajtë e Kuq ishin në pozitën e pestë në tabelë para se ta arrinin një ecuri prej 14 ndeshjeve pa disfatë këtë sezon, që ua mundësoi atyre ta mbyllnin sezonin në pozitën e tretë në tabelë dhe sigurimin e një vendi në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, skuadra e Ole Gunnar Solskjaer e mbylli sezonin 15 pikë prapa Manchester Cityt dhe 33 pikë prapa Liverpoolit. Fred beson se skuadra e tij do të bëjë punë më të mirë sezonin e ardhshëm.

“Skuadra ka qenë në formë me të vërtetë shumë të mirë. I kemi pasur disa momente të këqija, disa herë jemi zhgënjyer, por kjo është normale kur e ke një sezon aq të gjatë. Por, ne arritëm ta mbajmë një ecuri të mirë në fund”, ka thënë Fred.

“Kjo ishte shumë e rëndësishme për skuadrën dhe për luftën tonë për një vend kualifikues në Ligën e Kampionëve”.

“Jam i sigurt se skuadra jonë do të jetë më e fuqishme në aspektin mendor pas këtij sezoni. Ky sezon ka qenë i pazakontë shkaku i gjithçkaje që ka ndodhur, kështu që sezonin e ardhshëm do të jemi më të mirë dhe do të tentojmë t’i fitojmë të gjitha garat në të cilat do të marrin pjesë”.

“Besoj se ne kemi mundësi ta bëjmë këtë. E kemi një skuadër të mrekullueshme dhe thjesht duhet të tentojmë. E kemi Premierligën, Ligën e Kampionëve dhe Kupat dhe do të bëjmë gjithçka të mundur për të fituar sa më shumë trofe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat