Bajerni, në Lisbonë për të bërë kurorën e trefishtë

Futboll

Bajerni, në Lisbonë për të bërë kurorën e trefishtë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 11:04
Bajyrni, në Lisbonë për të bërë kurorën e trefishtë

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Hansi Flik, foli gjatë me gazetarin e “Bild”-it, Kristian Falk. 55-vjeçari tregoi pikat kulminante të sezonit dhe ndjesinë e të shpallurit kampion i Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë.

Hansi, si mund ta përshkruani sezonin e parë te Bajerni?

Ishte një aventurë e bukur, edhe pse duhet ta pranojmë se nuk jemi ende në fund të tij. Ndodhemi në çerekfinale të Champions-it dhe pretendimet janë të mëdha.

Sa ndryshojnë këto ndeshje nga ato të kampionatit?

Gjithçka është ndryshe duke nisur nga organizimi. Mund ta ndiesh interesin e tifozëve, edhe pse ata nuk janë pranë nesh. Çdo ditë po flitet për këtë takim historik. Champions-i është një kompeticion i veçantë për të gjithë.

Ishte vetëm sezoni i parë në Bundesligë dhe arritët të fitonit dy kupa, u priste ky sukses?

Për skuadrën po. E kam thënë edhe më parë që të jesh pjesë e Bajernit, objektivat kryesorë janë fitimi i kampionatit dhe Kupës. Sigurisht që edhe për mua ishte një arritje e veçantë.

Cili ishte për ju momenti më i bukur në këto 10 muaj te Bajerni?

Ka shumë, sidomos kalimi në çerekfinale. Por sezoni në Bundesligë ishte shumë i gjatë. Sigurisht që pandemia ishte diçka që na preku të gjithëve. Në anën sportive mund të them se momenti më i veçantë ose periudha më e bukur ishte fundi i fazës së parë. Aty ku arritëm të kalonim në vendin e parë. E kujtoj edhe sot e kësaj dite kur Zirkze na dha 2 fitore të rëndësishme. Ai shënoi golin e fitores në Fraiburg dhe një javë më pas në “Allianz Arena” zhbllokoi takimin ndaj Volfsburgut. Ishte fantastike.

Është tripleta e arritshme?

Mendoj se po. Na mungon vetëm një trofe për ta bërë sezonin perfekt. Është ëndrra e të gjithëve këtu në skuadër, madje edhe e atyre që e kanë fituar njëherë.

Të gjithë kanë respekt maksimal për ju, nga lojtarët dhe deri te njeriu më i thjeshtë, pse ndodh kjo?

Mundohem që t’i trajtoj me respekt të gjithë njerëzit dhe lojtarët që më dalin përpara. Ashtu siç do të doja që edhe të tjerët të më trajtonin mua. Një rol të rëndësishëm luan mënyra se si komunikon me njerëzit. Kjo ka qenë një nga metodat e mia të hershme në punë. Kur isha drejtor sportiv në kombëtaren e Gjermanisë, detyra ime ishte të krijoja një ambient të ngrohtë mes lojtarëve dhe stafit teknik. Dhe ashtu siç e keni parë, në skuadër ka pasur gjithmonë harmoni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat